
Në Itali ka hyrë në fuqi detyrimi për pasportën shëndetësore edhe në shkolla, trena, aeroplanë si dhe autobusë me distanca të gjata. Por një pjesë e mirë e udhëtarëve nuk i kanë mirëpritur masat e reja duke protestuar në stacione.
Tubuesit u organizuan në 53 qytete me qëllimin për të mos lejuar trenat të qarkullojnë por ndërhyrja e karabinierëve i ka dhënë fund përpjekjes. Kontrollet për zbatimin e masave në të gjithë Italinë, janë përforcuar ndërsa zyrtarët më të lartë të vendit janë zotuar për tolerancë zero kundër demonstruesve të dhunshëm.
Qëkurëse ka nisur rikthimi i masave, në Itali janë mbajtur protesta të vazhdueshme të cilat janë përshkallëzuar edhe në dhunë. Ministrja e brendshme, Luciana Lamorgese ka thirrur një takim urgjent për të diskutuar rritjen e dhunës dhe frikësimin ndaj gazetarëve e mjekëve, në këto organizime.
“Ne gjithmonë do të sigurojmë lirinë për të demonstruar në mënyrë paqësore në përputhje me rregullat, por aktet e dhunës dhe kërcënimeve nuk do të lejohen.”-deklaroi Lamorgese.
Deri më tani, rreth 70% e banorëve të Italisë të moshës 12 vjeç e lart janë vaksinuar plotësisht. Por ekspertët kanë shprehur shqetësimin se shumë njerëz në grupmoshën 50-69 vjeç që konsiderohen më të rrezikuar, nuk janë imunizuar ende dhe as nuk janë regjistruar për këtë qëllim. / Burimi:Tgcom