
34-vjeçari shqiptar Renato Muhaj është autori i vrasjes së bashkëshortes së tij, Suela Saliaj dhe rrëmbimit të vajzës së tyre të mitur, Alessia 8-vjeçe.
Mediat amerikane raportojnë se 34-vjeçari e vrau gruan në shtëpinë e saj, ndërsa pas ngjarjes së rëndë ai mori vajzën e tyre 8 vjeçe dhe tentoi të arratisej, por u arrestua pak orë më vonë.
Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, Muhaj ka goditur edhe të dy prindërit e tij dhe u ka marrë celularët në mënyrë që ata të mos telefononin policinë. Ata u treguan autoriteteve dinamikën e ngjarjes dhe më pas janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Renato Muhaj u arrestua vetëm pak orë pas ngjarjes dhe u dërgua në paraburgim. Autoritetet kanë arritur të gjejnë të sigurt edhe vajzën e mitur.
Ai akuzohet për vrasje të shkallës së parë dhe rrëmbim të fëmijëve. Shkaqet e vrasjes nuk dihen ende, por dyshohet se çifti jetonte në vende të ndara nga njëri-tjetrin.
Nga ajo që mësohet nga mediat amerikane, bëhet e ditur se Suela Saliaj, me profesion bankiere, në sektorin e shërbimit të klientit, punonte në një bankë në SHBA.
Suela jetonte prej disa vitesh në SHBA, ku kishin emigruar më pas dhe prindërit si dhe vëllai i saj. Nga një vëzhgim në rrjetet sociale, Suela Saliaj, prej shumë vitesh kishte eksperiencë në shërbimin e klientit në banka.
Viktima dhe familja e saj janë kujtuar me respekt dhe konsideratë edhe nga banorët e fshatit Ngraçan të Mallakastrës.
Një fqinje, tha për mediat se Suela ka qenë shoqe me dy vajzat e saj, teksa shtoi se ato flisnin në rrjetet sociale me njëra-tjetrën. Fqinja më tej tha se kishin kuptuar që Suela mund të ishte ndarë nga bashkëshorti pasi në rrjetet sociale ajo nuk kishte më asnjë foto me Renato Muhajn.
Edhe fqinjët e tjerë, e kujtojnë familjen Saliaj me respekt të madh, ndoëse ata kanë vite që kanë emigruar në SHBA.
Në Ngraçan banesa e familjes Saliaj është e mbyllur pasi prej vitesh aty nuk banon askush teksa tek të gjithë banorët kanë mbetur tashmë vetëm kujtimet e mira dhe dhimbja për vajzën e vrarë në SHBA nga bashkëshorti./vizionplus.tv