“Na ndihmoni, na kanë mbetur vetëm pak orë kohë”, kjo është thirrja e dëshpëruar që i bën botës, një prej komandantëve të forcave që po mbrojnë qytetin ukrainas të Mariupolit, Serhiy Volyna.
Në një video dërguar BBC-së dhe mediave të tjera, Volyna tha se trupat e tij nuk do të dorëzoheshin, por ai u lut për ndihmë ndërkombëtare për 500 ushtarët e plagosur dhe qindra gra dhe fëmijë që ai tha se po fshiheshin me ta në një fabrikë hekuri dhe çeliku në qytet. Rusia u ka dhënë një ultimatum të ri forcave të rezistencës që strehohen në kete fabrikë qe të ulin armët gjatë orëve në vazhdim.
“Kjo është deklarata jonë për botën. Mund të jetë e fundit. Mund të na kenë mbetur vetëm pak ditë, ose pak orë. Njësitë e armikut janë 10 herë më shumë se sa ne. Kanë supermaci në ajër, artileri dhe njësitë që janë dislokuar në tokë, pajisje dhe tanke. U bëjmë thirrje liderëve botërorë të na ndihmojnë”, tha Serhiy Volyna.
Ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë te refuzojnë ultimatumin për dorëzim, edhe pas raportimeve se Rusia ka vendosur të rrafshojë xhepin e fundit të rezistencës, Moska dhe Kievi u dakordësuan për një korridor humanitar për evakuimin e civilëve. Ukraina shpreson të dërgojë 90 autobusë për evakuimin e 6000 grave, fëmijëve dhe të moshuarve.