
Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri një deklaratë të fortë, ku akuzoi ushtrinë izraelite që ka këkruar tërheqjen e furnizimeve mjekësore nga dy depot e saj jugore në Gaza, pasi operacionet tokësore do t’i bëjnë ato të padobishme.
“Sot, OBSH mori njoftimin nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit se ne duhet të heqim furnizimet tona nga dy depot tona mjekësore në Gazën jugore brenda 24 orëve, pasi operacionet tokësore do t’i bëjnë ato jashtë përdorimit”, tha në një deklaratë Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. “Ne i bëjmë thirrje Izraelit të tërheqë urdhrin dhe të marrë çdo masë të mundshme për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën civile, duke përfshirë spitalet dhe objektet humanitare.”
Pas përfundimit të armëpushimit, Izraeli ka nisur sulmet nga ajri dhe toka në Gazë, teksa 85% e popullësisë raportohet të jetë zhvendosur.
Ky paralajmërim vjen në një kohë ku spitalet janë të mbushur tej kapaciteteve të tyre dhe apelojnë për furnizim me medikamente, pasi sipas bluzave të bardha mungojnë edhe medikamentet më elementare.