
Autoritetet spanjolle kanë arrestuar 10 të rinj me origjinë shqiptare të përfshirë në një organizatë kriminale, që merrej me kultivimin dhe shitjen e lëndëve narkotike.
Trafikantët i përkasin moshës nga 19 deri në 32 vjeç dhe zotëronin disa shtëpi e ndërtesa industriale të shpërndara në të gjithë provincën lindore të Alikantes, të cilat i përdornin për të kultivuar marihuanë.
Oficerët e policisë sekuestruan më shumë se 2000 bimë në gjendje të avancuar rritjeje dhe lulëzimi, një sasi të konsiderueshme të përgatitur për shpërndarje si dhe shuma parash e materiale të tjera.
Në brendësi të ndërtesave funksiononte një sistem elektrik i sofistikuar që përbëhej nga disa transformatore, që favorizonin rritjen e shpejtë të bimëve. Të gjitha të lidhura ilegalisht.
Kanë qenë fqinjët ata të cilët kanë denoncuar faturat e shtrenjta të energjisë elektrike, duke i hapur kështu rrugën hetimit.