
Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland emëroi të enjten një prokuror të posaçëm për të hetuar se si u gjendën dokumentat e klasifikuara në ish-zyrën në Uashington të Presidentit Joe Biden, si dhe në shtëpinë e tij në Wilmington, Dellauer.
Zoti Garland, që mban detyrën e zyrtarit më të lartë ligjzbatues në qeverinë amerikane, përzgjodhi prokurorin e karrierës Robert Hur, ish-prokuror kryesor federal në shtetin Merilend. Zoti Hur ka shërbyer edhe si zyrtar i lartë në Departamentin e Drejtësisë gjatë administratës së presidentit pararendës republikan Donald Trump.
Vendimi i zotit Garland pason caktimin e tij më herët të prokurorit të posaçëm Jack Smith për të bërë një hetim të ngjashëm ndaj zotit Trump. Për disa muaj, ish-presidenti nuk kishte dorëzuar dokumentat e klasifikuara në Administratën për të Dhënat dhe Arkivat Kombëtare, siç parashikohet në legjislacionin amerikan, kur la detyrën dy vite më parë dhe i dërgoi ato në Mar-a-Lago, rezidencën e tij në Florida, ku tashmë edhe banon.
Zoti Garland u tha gazetarëve në Departamentin e Drejtësisë se caktimi i prokurorit të posaçëm Hur “nënvizon për publikun përkushtimin e departamentit si ndaj pavarësisë ashtu edhe llogaridhënies për çështje veçanërisht të ndjeshme”.
Disa zyrtarë republikanë kishin bërë thirrje që zoti Garland të caktonte një prokuror të posaçëm për të hetuar presidentin demokrat.
Kryetari i ri i Dhomës së Përfaqësuesve, Kevin McCarthy, tha në një konferencë për shtyp në Kapitol se “mendoj që Kongresi duhet ta hetojë këtë. Nuk mendoj se ndonjë amerikan beson se drejtësia nuk duhet të jetë njësoj për të gjithë”.