Pse Rusia ka dështuar të shndërrohet në një demokraci liberale

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Pse Rusia ka dështuar të shndërrohet në një demokraci liberale

Nga Nina L.Khrushcheva “Project Syndicate”

Tridhjetë vjet më parë, një grup ekstremistësh komunistë vunë nën kontroll Moskën, dhe e vendosën në arrest shtëpie në rezidencën e tij të pushimeve në Krime udhëheqësin sovjetik Mikail Gorbaçov.

Ata kundërshtonin reformat ekonomike dhe politike të këtij të fundit – Perestrojkën dhe Glaznostin – ndaj tentuan ta rrëzonin qeverinë e tij. Por brenda 3 ditësh, grushti i shtetit u shpërbë, dhe po kështu ndodhi deri në fundin e atij viti edhe me vetë Bashkimin Sovjetik. Gjatë 20 viteve të pushtetit të presidentit aktual rus Vladimir Putin, kuptimi i atij akti subversiv është përmbysur. Tani, përpjekja për grusht shteti portretizohet si një përpjekje e forcave ruse për të ruajtur shtetin, e penguar nga ndjenja anti-sovjetike.

Sipas një sondazhi të kohëve të fundit, vetëm 50 për qind e rusëve i mbajnë mend ato ditë të pakëndshme, kur Moska u pushtua nga trupat me tanke. Dhe në kushtet kur Kremlini nuk po bën asgjë për të qartësuar kujtimin e asaj ngjarjeje, vetëm 7 për qind e tyre mendojnë tani se rezultati final ishte “një fitore e demokracisë”.

Advertisement

Sigurisht, e ashtuquajtura Dita e Flamurit, përvjetori i ditës kur u mposht zyrtarisht grushti i shtetit dhe kur flamuri i kuq, i bardhë dhe blu i Federatës Ruse zëvendësoi të kuqen sovjetike, përkujtohet çdo vit. Por festimet udhëhiqen nga partitë liberale, aktivistët e të drejtave të njeriut dhe një grusht opozitarësh të mbetur, pra nga ata që kërkojnë të përkujtojnë luftën për një Rusi të lirë.

Putini nuk ka marrë pjesë asnjëherë në kremtime të tilla. Në fakt, mund të thuhet se dështimi i grushtit të shtetit, ka sjellë po aq rezultate negative sa edhe vetë grushti i shtetit. Tek e fundit, Rusia e sotme është gjithçka, por jo e lirë.

Ata që shkruajnë ose postojnë diçka që mund të konsiderohet anti-Putin, anti-qeveri ose anti-kishë përballen me rrezikun e arrestimit. Nëse keni diçka për t’i thënë Putinit përveç fjalisë: “Faleminderit për jetën tonë të lumtur!”, ka të ngjarë të etiketoheni si ‘Kolonë e Pestë’ (tradhtar), si agjent i huaj apo si një ekstremist i rrezikshëm.

Shoqëria civile vështirë se ka hapësirë për të marrë frymë.

Advertisement

Për shembull, TV Dozhd i pavarur u quajt “agjent i huaj”, edhe pse nuk ka marrë ndonjëherë asnjë qindarkë nga jashtë vendit. Sigurisht, Putini nuk është Stalini:sot njerëzit nuk po përndiqen në masë si në vitin 1937. Por fakt është që në epokën e Gorbaçovit toleroheshin më shumë zëra opozitarë sesa tani. Për këtë mjafton të pyesni Aleksei Navalnin, avokat kundër korrupsionit dhe kritik i shquar i Putinit, që tani po vuan dënimin me burg për disa akuza të montuara.

Ju gjithashtu mund të pyesni cilindo që ka punuar për Fondacionin e tij Anti-Korrupsion, që u detyrua të shpërbëhet pasi u etiketua si një “grup ekstremist”, apo këdo që ka guxuar të dhurojë para për këtë organizatë, pasi mund të jenë “vizituar” shpesh nga policia ruse.

Megjithatë, shumica e rusëve kanë bërë shumë pak për t’i rezistuar regjimit, gjë që me gjasë nuk duhet të jetë edhe aq e habitshme. Tendenca për të vlerësuar stabilitetin, madje edhe duke sakrifikuar për të njëfarë lirie, u kuptua prej kohësh si një përgjigje ndaj pasigurisë dhe vështirësive të epokës sovjetike dhe post-sovjetike.

Sot, rusët gëzojnë prosperitet dhe një lloj komoditeti relativ. Shumë syresh nuk kanë jetuar kurrë më parë kaq mirë. Gjithsesi pse kaq shumë rusë mbeten të bindur, se nevojitet një burrë i fortë për t’i udhëhequr ata? Është e vërtetë:Rusia nuk është ende superfuqia që ishte dikur.

Advertisement

Por njerëzit e saj nuk janë veçanërisht të prekshëm ndaj kërcënimeve të jashtme. Dhe përpjekjet e Putinit për t’i “rikthyer” Rusisë statusin e fuqisë së madhe – përfshirë aneksimin e Krimesë dhe ndërhyrjen në zgjedhjet e vendeve të tjera – nuk forcojnë e sigurinë apo prosperitetin e rusëve të zakonshëm.

Në fakt, ato bëjnë të kundërtën. Megjithatë, rusët po vazhdojnë të kapitullojnë ndaj Putinizmit. Kur Navalni u arrestua vitin e kaluar, unë vendosa një parullë me mbishkrimin “Free Navalny” (Lironi Navalnin) në dritaren e apartamentit të nënës sime në Moskë.

Shumë shpejt, fqinjët e saj – anëtarë të shërbimeve sekrete në moshën e mesme – më kërkuan që ta hiqja. “Ne nuk duam këtu një vëmendje të shtuar”-më thanë ata. Si një shenjë kompromisi, unë zëvendësova parullën e parë me një version më të butë dhe më eufemistik: “Na çlironi nga Putini!”. Ata reaguan sërish dhe me edukatë më kërcënuan se do të thërrisnin policinë, edhe pse më siguruan se ishin në anën time.

U thashë:Nëse jemi në të njëjtën anë, e gjithë ndërtesa duhet të vendosë parulla në mbështetje të Navalnit. Në fund të fundit, ata nuk mund të na arrestojnë të gjithëve, theksova. Fqinjët e mi refuzuan. Kur u përpoqa të grumbulloja mbështetje duke i rënë ziles së apartamenteve, u përballa me kërcënime të tjera se ata do të thërrisnin policinë.

Advertisement

Çesllav Millosh, ftues i Nobelit në letërsi, e trajton  këtë dukuri në esenë e tij të vitit 1953 “Mendja e robëruar”. Libri nisi me një diskutim mbi romanin e Stanisllav Vitkieviç të vitit 1930 “Pangopësi”, në të cilën polakëve të sapo-pushtuar u jepej si një “kurë” e ashtuquajtura pilula Murti-Bing kundër mendimeve të pavarura.

Kjo lloj droge, ashtu si ideologjia marksiste-leniniste, sjell kënaqësi dhe bindje, dhe i detyron njerëzit të zhvillojnë një lloj disonancë njohëse, që përfundimisht i bën njerëzit të zhvillojnë personalitete të dyfishta.

Ata nuk janë aq të ndryshëm nga fqinjët e nënës sime në Moskë, që shpallin dakordësinë e tyre me Navalnin, edhe pse nga ana tjetër kërcënojnë se do të thërrasin policinë për këdo që e mbështet atë publikisht.

Millosh vëren se ata që jetonin nën një sundim totalitar, i shihnin demokracitë perëndimore si shumë të lira, dhe ai besonte se kjo gjë, së bashku me zbatimin e sundimit të ligjit tek aktorët shtetërorë, i bëri këto vende të paqëndrueshme dhe të padisiplinuara.

Advertisement

Hapni sot televizionet ruse, dhe do të dëgjoni saktësisht të njëjtin mesazh. Në fund, thekson Millosh, njerëzit nuk i nënshtrohen sundimit shtypës vetëm nga frika. Ata janë gjithashtu të motivuar nga një “dëshirë e brendshme për harmoni dhe lumturi”, dhe autoritarët janë të aftë që të përfitojnë nga kjo.

Putin sigurisht që po. Problemi është se këta udhëheqës nuk u ofrojnë në të vërtetë jetën më të mirë që u kanë premtuar. Nëse Rusia do të shpëtojë ndonjëherë nga regjimi që ka krijuar Putini, rusët do të duhet të refuzojnë dozat e tyre të Murti-Bing.

Ne nuk mund të presim që dikush si Gorbaçov apo Navalni të vijnë dhe t’i zgjojnë rusët për një moment, që pastaj këta kësaj të bien në gjumë për javët dhe muajt në vazhdim. Ne duhet të punojmë çdo ditë për të shkuar drejt lirisë.

Tridhjetë vjet më parë, Gorbaçov i çliroi rusët nga burgu i komunizmit. Navalni është përpjekur me guxim që ta ndriçojë rrugën për të dalë nga Putinizmi. Por deri më tani, shumica e rusëve i kanë mbajtur sytë e mbyllura. Leksioni i këtij përvjetori të përkujtuar shumë pak në Rusi është i qartë:një shoqëri e lirë nuk mund të përbëhet nga njerëz, që janë të kënaqur të lejojnë robërimin e mendjeve të tyre.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy