
Shtetet e Bashkuara të Amerikës insistojnë që Prishtinës dhe Beogradit të ulen sa më shpejtë në tryezën e dialogut për të vijuar bisedimet ne funksion te normalizimit te marrëdhënieve. I dërguari posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, tha se Uashingtoni e konsideron një çështje urgjente vijimin e procesit për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
MATTHEW PALMER
AdvertisementI DËRGUARI I POSAÇËM I SHBA-së PËR BALLKANIN PERËNDIMOR
“Nuk besoj se kemi një afat se kur duhet të arrihet marrëveshja, por shtetet e bashkuara e konsiderojnë një çështje urgjente. Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë të presim, aq më e vështirë do të jetë, sfidat do të jenë më të komplikuara.”
Palmer komentoi deklaratat e Albin Kurtit duke thënë se Shtetet e Bashkuara mbështesin prioritetet për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit, por sipas tij dialogu është i pashmangshëm.
“Kam dëgjuar përparësitë që Z. Kurti vuri në dukje; transparenca, qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit, rregullimi i situatës në Kosovë. Këto janë përparësitë tona, ne duam që e gjithë kjo të ndodhë në Kosovë. Kosova mund të marrë pjesë në këtë dialog në një mënyrë konstruktive duke u marrë me reformat e brendshme. Unë nuk shoh ndonjë kontradiktë midis këtyre përparësive.”
Zyrtari i lartë amerikan nënvizoi se ardhmja e Kosovës dhe Serbisë është integrimi në Bashkimin Europian.