
NATO tha sot se nuk sheh ndonjë kërcënim të afërt ushtarak nga Rusia për asnjë anëtar të aleancës, por po ruan aftësinë e saj parandaluese me stërvitjen më të madhe në dekada që do të fillojë këtë javë.
“Ne po i bëjmë të gjitha këto për të siguruar që të kemi forca të gatshme në mënyrë që të mos ketë vend për llogaritje të gabuara apo keqkuptime në Moskë në lidhje me gatishmërinë tonë për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s dhe, për sa kohë që ne e bëjmë këtë, nuk do të ketë asnjë sulm në territorin e NATO-s”, u tha gazetarëve në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Aleanca njoftoi gjithashtu se kishte nënshkruar një kontratë 1.1 miliardë euro për municion artilerie dhe se disa prej predhave do t’i jepeshin Ukrainës, pas ankesave se mungesa e municioneve po pengonte përpjekjet e saj të luftës.
“Lufta në Ukrainë është kthyer në një betejë municionesh”, tha Stoltenberg në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në selinë e aleancës në Bruksel.
Kontrata është për rreth 220,000 predha artilerie dhe dërgesat e para priten në fund të vitit 2025, tha një zyrtar i NATO-s për Reuters.
Municioni do të furnizohet nga kompania franceze e armëve Nexter dhe Junghans e Gjermanisë, sipas një burimi të industrisë./vizionplus.tv