
Hetuesit e Kombeve të Bashkuara akuzuan autoritetet ruse për një seri shkeljesh të rënda dhe të gjera të të drejtave të njeriut ndaj civilëve ukrainas, të cilat në shumë raste mund të përbëjnë krime lufte dhe krime ndaj njerëzimit.
Në raportin e parë gjithëpërfshirës për situatën në Ukrainë, që kur Rusia sulmoi këtë vend më 24 shkurt 2022, Komisioni Ndërkombëtar për Hetimet për Ukrainën konkludoi se “autoritetet ruse kanë kryer shkelje të shumta të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe të ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, krahas një game të gjerë krime lufte”.
Krimet e luftës përfshijnë sulme ndaj civilëve dhe infrastrukturës të lidhur me energjinë, vrasjet me dashje, torturat dhe trajtimin çnjerëzor, mbajtjen e paligjshme, përdhunimin dhe transferimin e paligjshëm, si dhe deportimin e fëmijëve nga Ukraina drejt Federatës Ruse.
“Konflikti në Ukrainë ka patur efekte shkatërrimtare në nivele të ndryshme”, tha Erik Mose, kryetar i komisionit. “Humbjet njerëzore dhe mospërfillja e përgjithshme për jetët e civilëve janë shokuese”.
“Numri i personave të zhvendosur apo atyre që kërkojnë azil jashtë vendit është më i larti në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha ai.
Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare raportoi se mbi 5.4 milionë njerëz janë zhvendosur brenda vendit, dhe mbi 8.1 milionë ukrainas janë larguar si refugjatë drejt vendeve fqinje evropiane.
Zoti Mose tha se shkatërrimi i infrastrukturës thelbësore – shkollat, klinikat shëndetësore, godinat e banimit dhe objekte të tjera – ka patur ndikim të pamatë tek jetët e njerëzve.
“Efektet e agresionit tek njerëzit dhe tek vendi nuk do të tejkalohen pa përpjekje të mëdha dhe përkushtim”, tha ai.
Gjatë vitit të kaluar, komisioni shkoi në Ukrainë tetë herë, vizitoi 56 vendndodhje dhe intervistoi gati 600 gra dhe burra.
“Ndërkohë që komisioni mundi të zhvillojë një dialog me autoritetet e Ukrainës dhe mori përgjigje për pyetjet e tij, ndjen keqardhje që nuk mundi të zhvillojë një dialog të tillë me Federatën Ruse”, tha zoti Mose.
Ndër gjetjet e tij, komisioni ka mbledhur evidencë të përdorimit të armëve eksplozive nga forcat e armatosura ruse në zona të populluara “me një mospërfillje të hapur për dëmet ndaj civilëve dhe vuajtjeve”.
Raporti thotë se sulmet janë bërë pa dallim dhe pa proporcionalitet, “në shkelje të ligjit humanitar ndërkombëtar”.
Sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, këto sulme kanë shkaktuar 90.3% të viktimave në radhët e civilëve gjatë këtij konflikti. Që nga fillimi i luftës, OKB-ja ka regjistruar të paktën 8 mijë të vdekur dhe gati 13,300 të plagosur, megjithëse mendon se “shifra reale është shumë më e lartë”.
Komisioni ka mbledhur evidencë që tregon një model të gjithëpranishëm ekzekutimesh masive, evidencë për të cilën komisioneri Pablo de Greiff tha se “tregon që autoritetet ruse kanë bërë vrasje të paligjshme civilësh në zonat që morën nën kontroll… të cilat janë shkelje e së drejtës për jetën dhe në disa raste janë krime lufte”.