Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar ushtrinë e tij të vendosë forcat e parandalimit bërthamor të vendit në gatishmëri të lartë në përgjigje të “deklaratave agresive të liderëve të NATO-s”.
“Siç mund ta shihni, jo vetëm shtetet e Perëndimit marrin masa jomiqësore kundër shtetit tonë në dimensionin ekonomik, dua të them sanksionet ilegale që të gjithë i dinë, por edhe zyrtarët e lartë të NATO-s ia lejojnë vetes të bëjnë deklarata agresive sa i përket shtetit tonë”, ka thënë Putin për televizionin shtetëror.
Liderët e Bashkimit Evropian, Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë, Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara, janë pajtuar për të bllokuar disa banka ruse në sistemin bankar, SWIFT, si dhe që të vendosin “masa kufizuese” kundër Bankës Qendrore të Rusisë për sulmin në Ukrainë.
Putin ka paralajmëruar vendet e huaja që të mos ndërhyjnë në pushtimin që Rusia po bën në Ukrainë, duke thënë se kjo mund të çojë në “pasoja që nuk i kanë parë kurrë”.