Zelenskyy e sheh të domosdoshme fitoren në Bakhmut

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Zelenskyy e sheh të domosdoshme fitoren në Bakhmut

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, theksoi rëndësinë e luftës për qytetin lindor të Bakhmutit, duke i thënë agjencisë së lajmeve Associated Press të martën se një disfatë e Ukrainës atje, do të sillte trysni nga komuniteti ndërkombëtar dhe disa në Ukrainë, për të bërë kompromise me Rusinë.

Presidenti Zelenskyy tha se nuk do të angazhohet në bisedimet e paqes me Rusinë derisa forcat ruse të tërhiqen nga i gjithë territori i Ukrainës. Që nga fillimi i agresionit të saj në shkallë të gjerë vitin e kaluar, Rusia ka pretenduar të aneksojë katër zona në Ukrainë, një veprim i dënuar me shumicë dërrmuese si i paligjshëm nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

Aleatët perëndimorë e kanë ulur rëndësinë e Bakhmutit, duke thënë se një humbje e Ukrainës atje nuk do të kishte ndikime të mëdha në konfliktin e përgjithshëm.

Por, presidenti Zelenskyy i tha agjencisë Associated Press se çdo pjesë e luftës është e rëndësishme.

Advertisement

“Ne nuk mund t’i humbim hapat sepse lufta është – copa fitoresh. Fitore të vogla, hapa të vegjël”, tha ai.

Presidenti Zelenskyy foli për Associated Press ndërsa udhëtonte me një tren në disa pjesë përgjatë vijës së frontit, përfshirë rajonin Sumy në verilindje të Ukrainës.

“Rajoni është pranë armikut. Kërcënimi është i vazhdueshëm. Bombardimet e kufirit tonë janë të vazhdueshme. Por jeta, njerëzit tanë janë padyshim më të fortë se çdo frikë”, tha presidenti Zelenskyy në fjalimin e tij të rregullt gjatë natës.

Ai gjithashtu udhëtoi në një vend të panjohur pranë kufirit rus dhe foli me rojet kufitare.

Advertisement

“Kam pasur një bisedë të veçantë edhe me shefin e Shërbimit të Rojës Kufitare. Ne folëm për mbrojtjen e Sumyt dhe rajoneve të tjera, për forcimin e rojeve kufitare, të cilët së bashku me të gjitha forcat e mbrojtjes po luftojnë në vijën e frontit”, tha presidenti Zelenskyy.

Një marrëveshje për të siguruar centralin më të madh bërthamor të Evropës në Ukrainë mund të jetë “afër”, edhe pse hollësitë përfundimtare ende do të diskutohen nga zyrtarët rusë dhe ukrainas, tha të martën Rafael Mariano Grossi, shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.

Zoti Grossi u tha gazetarëve se “me gjasë” do të shkojë në Rusi në ditët në vijim për të provuar të përmbyllë një marrëveshje për të mbrojtur centralin bërthamor në Zaporizhia. Luftimet e ashpra për muaj të tërë pranë objektit kanë shqetësuar zyrtarët ndërkombëtarë për një katastrofë bërthamore, me mundësinë që rrezatimi të përhapet përtej zonës së luftës.

Shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, ka kërkuar prej kohësh që të krijohet një zonë mbrojtëse rreth centralit që ndodhet shumë pranë vijës së parë të luftës. Por asnjë marrëveshje nuk është arritur./ Burimi” VOA

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2023 Struga.info | Privacy policy