Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler, në një intervistë për emisionin “Maqedonia në mëngjes” në Radio Televizionin e Maqedonisë (RTM), tha se Maqedonia e Veriut për të është si shtëpia e saj e dytë.
“Është e vështirë të thuash me pak fjalë se çfarë përfaqëson Maqedonia për mua. Ky vend është shtëpia ime tashmë për gjashtë vite – që për një diplomate amerikane është një periudhë shumë e gjatë. Maqedonia është një vend që unë e dua, e respektoj dhe i dëshiroj më të mirën. Një nga gjërat që më jep energji çdo mëngjes është dëshira për të bërë gjithçka që mundem, që kjo dashuri dhe përkushtim ndaj këtij vendi të përkthehet në rezultate konkrete, në zhvillim demokratik, stabilitet dhe përparim,” tha ajo.
Ambasadorja amerikane përmendi dhe potencial që kanë rinia, duke shtuar se e ardhmja duhet ndërtuar pikërisht për të rinjtë.
“Maqedonia ka një pasuri të jashtëzakonshme – rininë e saj. Ka një brez të ri energjik, kreativ dhe të angazhuar që meriton çdo mundësi për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet. Shtetet e Bashkuara janë këtu për të mbështetur këtë rrugëtim”, deklaroi Aggeler.
Aggeler theksoi se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për të mbështetur Maqedoninë e Veriut në aspiratat e saj për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, për forcimin e institucioneve demokratike dhe për luftën kundër korrupsionit.
The post Aggeler: Uashingtoni mbetet i përkushtuar në mbështetjen e RMV-së drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian appeared first on Telegrafi.