
“Janë dorëzuar tetë raste në Komisionin e brendshëm i formuar pas informacioneve për parregullsi të mundshme në lidhje me një pjesë të ndërhyrjeve kardiokirurgjike, ndërsa është kërkuar edhe mbikëqyrje e Odës së Mjekëve”, informoi ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu në konferencën e sotme për media.
“Para disa javëve, publiku ishte shqetësuar nga informacionet për parregullsi të mundshme që lidhen me disa nga ndërhyrjet kardiokirurgjike të kryera në institucionet shëndetësore. Si Ministri e Shëndetësisë, ne vepruam menjëherë dhe formuam Komisionin Intern të përbërë nga ekspertë mjekësorë, juristë dhe ekonomistë. Detyra e tij është të përcaktojë faktet dhe të veprojë në bazë të provave mjekësore, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe rregullave të sakta metodologjike. Dosjet mjekësore për tetë raste janë dorëzuar në Komisionin Intern. Komisioni do t’i përpunojë të gjitha në detaje, me qëllim që të përcaktojë të vërtetën bazuar në faktet mjekësore”, theksoi ministri.
Në pyetjen e gazetarëve, Aliu u përgjigj se nga një institucion shëndetësor janë dorëzuar tetë raste, ndërsa jo nga pacientë.
“Nga institucion, jo nga individ”, nënvizoi Aliu.
Siç ishte sqaruar, komisioni nesër do të takohet dhe këto dosje do të jenë rastet e para për të cilat do të veprohet.
“Njëherësh, Ministria e Shëndetësisë kërkoi edhe mbikëqyrje të jashtëzakonshme profesionale për rastet e njëjta nga Oda e Mjekëve”, shtoi Aliu.
Për anëtarët e komisionit trepalësh nga jashtë, ministri tha se ekspertët sipas gjitha gjasave do të jenë nga Sllovenia, Italia dhe Austria.
Ai tha se qytetarët duan dhe duhet të jenë të sigurt se kur kërkojnë shërbim shëndetësor, e marrin në bazë të nevojës reale dhe dëshmive mjekësore, ndërsa jo në bazë të vlerësimeve paushallë ose motiveve korruptuese.
“Procesi që ka filluar është një terapi e sistemit të kujdesit shëndetësor për të rikthyer besimin tek ai. Një terapi që fillon me ndërhyrjet kardiologjike dhe kardiovaskulare, por që nuk do të ndalet me kaq, do të zgjerohet në të gjitha segmentet e kujdesit shëndetësor, sepse çdo fushë duhet të bazohet në ekspertizë, prova mjekësore dhe respekt për pacientët. Ne e dimë që besimi nuk kthehet brenda natës, hap pas hapi, po dëshmojmë se kujdesi shëndetësor është në anën e qytetarëve dhe se nuk ka kthim prapa”, theksoi ministri.
Ai theksoi se askush nuk do të mbrohet, as nga shëndetësia publike, as nga shëndetësia private, nëse dëshmohet se ishte përfshirë në kryerjen e intervenimeve për të cilat nuk ekziston arsyetim mjekësor Në të njëjtën kohë, theksoi, askush nuk do të stigmanizohet pa dëshmi.
“Ka filluar proces i ndjeshëm, por i domosdoshëm. Do ta udhëheqim në mënyrë objektive, profesionale dhe transparente, nuk do të ketë kompromise me cilat do pritje ose interesa, në fund faktet dhe dëshmitë janë ato që do të flasin”, shtoi Aliu.
Ai ishte pyetur edhe pse nuk kryhen ndërhyrje në Kardiokirurgji, ndërsa pacientë janë ankuar se nuk ka pasur as transplantime.
The post Aliu: Janë dorëzuar tetë raste në Komisionin e brendshëm për intervenime kardiokirurgjike, është kërkuar mbikëqyrje edhe nga Oda e Mjekëve appeared first on Telegrafi.