Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, realizoi sot një takim pune me ambasadorin italian, Paolo Palminteri, ku u diskutua për tema aktuale nga fusha e shëndetësisë.
Siç informuan nga ministria, në takim është dakorduar që në ekipin e Komisionit Ndërkombëtar për rastet e kardiologjisë, të përfshihet edhe një ekspert nga Italia.
“Gjatë takimit të sotëm me ambasadorin Palminteri patëm një bisedë miqësore dhe konstruktive, duke riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe mes dy vendeve tona. Në takim u diskutua gjithashtu për përfshirjen e një eksperti nga Italia, i cili do të jetë pjesë e komisionit ndërkombëtar të ekspertëve që do të shqyrtojë rastet e kardiokirurgjisë, pas përfundimit të punës së komisionit të brendshëm me ekspertët vendorë. Së bashku vazhdojmë me transparencë, besim dhe qasje profesionale drejt përmirësimit të sistemit shëndetësor,”- theksoi ministri Aliu gjatë takimit.
