Aliu: Strategjia për bashkëpunim me OBSH-në për periudhën 2026–2030 është udhërrëfyes për të ardhmen e sistemit shëndetësor në vendin tonë

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Sot u mbajt promovimi i Strategjisë për bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë për periudhën 2026–2030, ku morën pjesë ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, si dhe përfaqësuesi i OBSH-së, Akim Ali, koordinatorja për Kombet e Bashkuara, Rita Kolumbia, dhe Lesli Miler nga UNICEF.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, theksoi se strategjia është plotësisht e harmonizuar me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit, me detyrimet që dalin nga procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me Kornizën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.

“Në periudhën e ardhshme do të jemi të përkushtuar në forcimin e partneriteteve me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe UNICEF-in me fokus të veçantë tek vaksinimi, si dhe me UNFPA në drejtim të përmirësimit të kujdesit shëndetësor për nënat dhe fëmijët. Ministria e Shëndetësisë do të vazhdojë të punojë aktivisht mbi prioritetet kryesore: procesin e digjitalizimit, transparencën dhe llogaridhënien para qytetarëve, si dhe një sistem shëndetësor të drejtë që funksionon në interes të qytetarëve”, theksoi ministri Aliu.

Akim Ali nga Organizata Botërore e Shëndetësisë theksoi se kjo strategji nuk është vetëm një politikë shëndetësore – por është ndërtim stabiliteti, besimi dhe një e ardhme më e drejtë për të gjithë në vend.

Advertisement

“Me Strategjinë, Maqedonia e Veriut i bashkohet përpjekjeve të përbashkëta evropiane për forcimin e sistemeve shëndetësore rezistente dhe të përgatitura për të ardhmen”, theksoi Ali.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara, Rita Kolumbia, theksoi se strategjia e bashkëpunimit me vendin tregon se si detyrimet globale përkthehen në veprim kombëtar – plotësisht të harmonizuar me agjendën shëndetësore dhe zhvillimore të vendit.

-Shëndeti nuk mund të shihet i izoluar; ai lidhet me arsimin, mjedisin, klimën, mbrojtjen sociale dhe transformimin digjital. Strategjia ofron një kornizë për veprim të përbashkët mbi këto lidhje, përfundoi Kolumbia.

The post Aliu: Strategjia për bashkëpunim me OBSH-në për periudhën 2026–2030 është udhërrëfyes për të ardhmen e sistemit shëndetësor në vendin tonë appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy