
Ish ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu bashkë me zëvendëskryeministrin Arben Fetai dhe eksponentë të tjerë nga Aleanca për Shqiptarët realizuan takim me kryeministrin Albin Kurti.
Aziri në profilin e tij në Facebook ka shkruar se edhe pas largimit të Taravarit nga VLEN dhe Qeveria, ai do të vazhdojë të jetë pjesë e, siç thotë ai, procesit që ka nisur në VLEN dhe në këtë Qeveri.
Shkrimi i plotë i Aliut:
Unë besoj se përcaktimi për ndryshim në shoqëri nuk braktiset me pengesën e parë por ndërtohet me edhe më shumë punë!
Me respekt të madh për kryetarin e partisë dhe të drejtën e tij për vlerësim politik, ndjej detyrim që publikisht të them se unë do të vazhdoj të jem pjesë e procesit që e nisëm së bashku në VLEN dhe në këtë Qeveri!
Një qeveri që për herë të parë i hapi seriozisht institucionet dhe nisi të merret sistematikisht me problemet, nisi përballjen me korrupsionin dhe krimin, dhe ngriti zërin kundër shtetit të kapur nga strukturat tashmë të njohura të korruptuara të BDI-së.
Ndoshta nuk jemi të përsosur. Por askush nuk mund të thotë se VLEN dhe kjo koalicion nuk sollën një dinamikë të re, një shpresë të re dhe një presion të vërtetë për ndryshime strukturore!
Unë mendoj se tërheqja në këtë moment pa një plan të qartë u jep hapësirë strukturave të vjetra të BDI-së të rehabilitohen dhe “shërohen”, bashkë me narrativat e tyre të pafuqishme. Kjo është një rrugë që unë nuk e ndjek, sepse besoj se çdo i ri shqiptar, çdo intelektual, meriton një opsion tjetër politik – një avangardë që dëshiron një të ardhme ndryshe nga ajo që kemi parë deri tani, që zgjedh fitoren e shpresës, dhe vendos të mençurit dhe të ndershmit jo vagabondët – në piedestalin e shoqërisë!
Unë qëndroj krah për krah me ata që vazhdojnë të përballen me sfidat duke i parë drejt në sy – sepse tani më shumë se kurrë na duhet bashkim si popull, e jo ndarje që u shkon vetëm për shtat atyre që janë kundër progresit!
Qëndroj me qytetarët, me idenë për ndryshim të vërtetë, me luftën që ka nisur të japë rezultate! Sepse kjo është thelbi për të cilin VLEN të merremi me politikë!
The post Aliu: Unë do të vazhdoj të jem pjesë e procesit që e nisëm së bashku me VLEN-in në këtë Qeveri appeared first on Telegrafi.