Në botën digjitale, të dhënat janë prioritet elementar dhe si të tilla duhet të trajtohen me nivelin më të lartë të besimit dhe sigurisë, ndërsa institucionet kanë për obligim t’i mbrojnë ato në mënyrë transparente, të drejtë dhe me të gjitha standardet evropiane, prandaj vendi duhet të ketë zgjidhjen e vet për përballje me sfidat kibernetike, porositi ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, në hapjen e Samitit kombëtar për infrastrukturë digjitale, energjetike dhe të sigurt kritike.
Në samitin, qëllimi i të cilit është të rrisë nivelin e planifikimit të qëndrueshëm të infrastrukturës digjitale dhe energjetike, sigurinë dhe tranzicionin e saj, si dhe të krijojë një të ardhme të sigurt dhe të ndritshme për brezat që do të vijnë, përvojën e tyre e prezantojnë kompanitë me përmasa botërore me përvojë shumëvjeçare në fushën e digjitalizimit dhe energjetikës. Samiti i dedikohet kryesisht sigurisë dhe tranzicionit energjetik dhe planifikimit përmes prezantimit të shembujve të shkëlqyer nga bota që mund të implementohen shpejt te ne.
“Jetojmë në një kohë kur sistemet energjetike nuk janë sisteme vetvetiu, por janë të lidhura thellësisht me sistemet TIK të shtetit dhe janë shtytësi dhe baza e ekonomisë maqedonase. Prandaj, siguria, qëndrueshmëria dhe përshtatshmëria e këtyre sistemeve duhet të jenë në krye të prioriteteve tona”, tha Andonovski.
Ai porositi se pjesa e parë e sigurisë kibernetike është rimëkëmbja pas fatkeqësive kibernetike, pjesa e dytë është mbrojtja e të dhënave, pjesa e tretë është një zgjidhje për rimëkëmbjen nga sulmet ramsover dhe pjesa e katërt është ajo që do të thotë në drejtim të investimeve në ekonominë maqedonase.
“Çdo shtet duhet ta konsiderojë sigurinë kibernetike si pjesë të sigurisë kombëtare, sepse sot sulmet nuk janë vetëm kundër kompanive, ato janë kundër shkollave, spitaleve, sistemeve energjetike, furnizimit me ujë, telekomunikacionit, fondeve sociale,… Këto janë sulme kundër jetës së përditshme të qytetarëve dhe kundër funksionimit të biznesit”, tha Andonovski.
Ne po përballemi, shtoi ai, me një sërë kërcënimesh të ndërlikuara dhe shumë më të shpeshta, prandaj po ndërtojmë standarde të reja dhe strategji të mbrojtjes, duke përfshirë Strategjinë kombëtare të sigurisë kibernetike.
“Me strategjinë kibernetike, ose ndonjë strategji tjetër, ne nuk mund të garantojmë se sulmet kibernetike nuk do të ndodhin, por duhet të sigurohemi që kur ato të ndodhin, të kemi kapacitetin për të rivendosur shpejt dhe në mënyrë të sigurt sistemin e caktuar kritik në funksionalitet. Maqedonia duhet të ketë zgjidhjen e vet për t’u marrë me sfidat kibernetike, jo një zgjidhje që varet ekskluzivisht nga vendet e huaja, por një sistem i dizajnuar brenda vendit që do të sigurojë që edhe në skenarin më të keq, shteti, institucionet dhe kompanitë mund të vazhdojnë të funksionojnë pa probleme”, thekson Andonovski.
The post Andonovski: Siguria kibernetike është pjesë e sigurisë kombëtare appeared first on Telegrafi.