
Arbër Ademi nga koalicioni “Aleanca Kombëtare për Integrim”, në konferencë për shtyp pas mbylljes së vendvotimeve, tha se ata si koalicion i vlerësojnë zgjedhjet si të lira, fer dhe demokratike.
Ai tha se tani vijon procesi më i rëndësishëm i procesit zgjedhor, që është ai i numërimit të votave, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Me mbylljen e vendvotimeve, në emër të AKI-së falënderoj qytetarët që morën pjesë në votime. Këto zgjedhje për ne kanë qenë më shumë se sa zgjedhje lokale. Tani nis faza tjetër e rëndësishme, ajo e numërimit dhe ruajtjes së integritetit të votës”.
“I bëjmë thirrje çdo vëzhguesi të ruaj standardin evropian, në mënyrë që rezultati të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve. AKI i konsideron këto zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Sot, mbi të gjitha fitues është qytetari, sepse vetëm përmes votës ndërtohet besimi dhe vetëm përmes pjesëmarrjes ndërtohet e ardhmja”, tha Ademi./Telegrafi/