
Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, në reagimin e saj pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për regjistrimin e popullsisë 2021, kritikon Izet Mexhitin për përpjekjen për t’u distancuar nga një proces që vetë e ka mbështetur.
ASH e akuzon Mexhitin për hipokrizi politike dhe bashkëpunim me agjenda që dëmtojnë interesat shqiptare.
Reagimi i plotë:
“Procesi i regjistrimit të popullsisë i vitit 2021 është aktualizuar sërish, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi pjesën e metodologjisë që ndante popullatën në “rezidentë” dhe “jo-rezidentë”. Në qendër të kësaj zhurme politike është ish-funksionari i lartë i BDI-së, Izet Mexhiti, i cili po përpiqet t’i ikë përgjegjësisë politike për atë që vetë e mbështeti dhe e votoi. Për ironi të fatit, Izet Mexhiti, që në vitin 2021 ishte nënkryetar i BDI-së, sot mundohet ta paraqesë veten si politikan i pastër dhe i padëmtuar, gati sikur ka zbritur para një viti nga qielli, duke harruar rolin që ka luajtur për dy dekada në keqqeverisjen shqiptare.
Si mund të flasë për manipulim, ai që e votoi vetë Ligjin e Regjistrimit
Mexhiti ka qenë pjesë aktive e të gjitha vendimeve që kanë dëmtuar shqiptarët në këtë vend, duke nisur nga keqmenaxhimi tre mandatësh në Komunën e Çairit, deri te pozicioni si deputet dhe funksionar i BDI-së, ku aprovoi edhe vendimin që përjashtoi mbi 300 mijë shqiptarë nga diaspora.
Sot, me dosje të trashë për kriminalitet urbanistik, të përmendura edhe nga vetë kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, z. Mexhiti bën rolin e politikanit të çiltër dhe të reformuar. Por publiku e di mirë se “Grupi i Zjarrit” ishte vetëm një rikoshet politik i atyre që për 20 vite sunduan dhe u identifikuan si funksionarë të përjetshëm, jo reformatorë.
Habia më e madhe është se narrativa e Mexhitit për regjistrimin është e sinkronizuar me atë të Hristijan Mickoskit, i cili si vendim i parë si kryeministër nënshkroi përjashtimin e diasporës shqiptare nga përllogaritjet zyrtare. Kjo është goditja më e rëndë për përfaqësimin real të shqiptarëve, që nga pavarësia e shtetit.
Z. Mexhiti, shqiptarët nuk janë 24.3% – ata janë më shumë se 29.5%. Nëse nuk jeni në gjendje të mbroni interesin kombëtar shqiptar, të paktën mos e shërbeni agjendën politike të atyre që shqiptarët i shohin si qytetarë të dorës së dytë.
Ju dhe grupi juaj sot nuk keni as fuqi politike, as legjitimitet popullor. Kjo është arsyeja pse partnerët tuaj maqedonas në qeveri nuk ju konsiderojnë si faktor relevant, por vetëm si dekor për të mbuluar agjenda që dëmtojnë shqiptarët në heshtje.
Aleanca për Shqiptarët bën thirrje për maturi dhe përgjegjësi politike. Regjistrimi i vitit 2021 nuk është një çështje e së kaluarës, por themeli mbi të cilin ndërtohet përfaqësimi i shqiptarëve për dekadat e ardhshme. Çdo përpjekje për ta zhbërë këtë të vërtetë do të ketë përballë forcat e vërteta politike shqiptare, jo figurat që i kanë shërbyer çdo pushteti, veç interesit të shqiptarëve”.
The post ASH-Taravari: Izet Mexhiti flet për manipulim të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, ndërsa vetë ai e ka votuar atë ligj appeared first on Telegrafi.