
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, po merr pjesë në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Uashington D.C., të organizuar nga lëvizja globale Freedom First Movement, e cila promovon liritë individuale dhe vlerat konservatore në mbarë botën.
Në kuadër të kësaj vizite, Taravari zhvilloi takim me Mercedes Schlapp, ish-Drejtore për Komunikime Strategjike në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës Trump dhe një nga figurat më me ndikim në kampin konservator amerikan.
Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimet në rajonin e Ballkanit, me fokus të veçantë në Maqedoninë e Veriut, si dhe për mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në mbrojtjen e vlerave demokratike, lirisë dhe përfaqësimit të denjë të komuniteteve.
Në kuadër të konferencës, Taravari do të marrë pjesë në një sërë panelesh të profilit të lartë përkrah senatorëve amerikanë, zyrtarëve të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, ish-kryeministrave të vendeve të Ballkanit dhe përfaqësuesve të organizatave që luftojnë në vijën e parë kundër trafikimit të qenieve njerëzore – një nga plagët më të rënda globale të kohës moderne.
Ky samit global mbledh liderë shtetërorë, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, organizata ndërkombëtare dhe aktivistë të të drejtave të njeriut për të diskutuar sfidat globale dhe veprimet konkrete në luftën kundër krimeve të rënda, veçanërisht trafikimit të njerëzve.
“Pjesëmarrja e Taravarit përfaqëson jo vetëm angazhimin personal të tij në çështjet e të drejtave të njeriut, por edhe përkushtimin e ASH për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë, më të sigurt dhe me institucione funksionale e të përgjegjshme”, thonë nga ASH.
Gjatë qëndrimit në SHBA, lideri i ASH-së pritet të zhvillojë një sërë takimesh me senatorë, kongresistë, figura publike dhe përfaqësues të shoqërisë civile amerikane, me qëllim ngritjen e profilit ndërkombëtar të çështjes shqiptare dhe avancimin e bashkëpunimeve strategjike.
The post ASH: Taravari në Konferencën botërore konservatore CPAC, shqiptarët përfaqësohen në një nga forumet më me ndikim global appeared first on Telegrafi.