
Aleanca për Shqiptarët, krahu u Arben Taravarit, shpreh shqetësimin e thellë për ndërhyrjet e vazhdueshme të të ashtuquajturës “Bota Serbe” në Maqedoninë e Veriut. Ky koncept politik, i ndërtuar mbi modelin e “Botës Ruse”, nuk është vetëm një lojë simbolike, por një projekt i mirëfilltë që synon të minojë kufijtë ekzistues, të dobësojë shtetësinë dhe të pengojë të ardhmen europiane të vendit tonë dhe të gjithë rajonit.
“Në vend që të mësojë nga paralajmërimet e qarta të Raportit të Parlamentit Europian, Shkupi zyrtar ka lejuar që kjo agjendë të marrë hov. Nënshkrimi i memorandumit mes Fondit Pensional të Maqedonisë së Veriut dhe atij të Republikës Srpska, i cili përfaqëson një entitet që sfidon hapur sovranitetin e Bosnjës e Hercegovinës, është një shembull i qartë se si institucionet tona po futen në rrjete që rrezikojnë stabilitetin rajonal. Po ashtu, kontratat strategjike të MEPSO-s me kompani serbe për projekte kyçe të rrjetit energjetik ngrejnë dyshime serioze mbi varësinë energjetike dhe komprometimin e sigurisë sonë kombëtare.
Kjo strategji shtrihet edhe më tej: përmes rrjetit hotelier, sistemit bankar, telekomunikimeve dhe televizioneve serbe, ndërhyrja bëhet e gjithanshme dhe e qëndrueshme, duke krijuar varësi strukturore që shkojnë përtej marrëdhënieve normale ekonomike. Ndërkohë, përfshirja e zyrtarëve serbë në aktivitete politike dhe kulturore në vend, si rasti i fundit me pjesëmarrjen e Millorad Dodikut në Shkup me ftesë të zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq, tregon qartë se ky projekt nuk është më i fshehur: është i hapur, i drejtpërdrejtë dhe antievropian.
Alarmante është edhe paraqitja e grupeve paramilitare me bereta të kuqe në qytete të Maqedonisë së Veriut, që përbëjnë sinjal të rrezikshëm për rendin dhe sigurinë e qytetarëve. Serbia po shfaqet qartë si shtet-proksi i Rusisë në rajon, duke përdorur instrumente të buta dhe të forta për të ndikuar mbi vendimmarrjen tonë strategjike.
E gjithë kjo ndodh nën një qeveri që jo vetëm nuk e mbron vendin nga ky ndikim, por shpeshherë e legjitimon dhe e përforcon atë. OBRM-PDUKM, me partnerët e saj të koalicionit VLEN dhe ZNAM, në vend që të mbrojnë interesin kombëtar, paraqiten si protagonistë të këtyre zhvillimeve, duke i hapur derën një agjende të rrezikshme për stabilitetin dhe perspektivën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga ASH.
Nga atje shtojnë se orientimi europian dhe euroatlantik i vendit është i panegociueshëm./Telegrafi/