
Zoran Jovanov, babai i Vasil Jovanovit, sot para Gjykatës Themelore Penale në Shkup deklaroi se nuk ndjehet fajtor dhe se nuk e kupton se për çka saktë akuzohet. Ai akuzohet për “rrezikim të sigurisë në komunikacion me veprim ose mjete të rrezikshme”, pas incidentit tragjik në të cilin djali i tij, duke drejtuar një automobil pa leje dhe nën ndikimin e alkoolit, e privoi nga jeta një këmbësor.
Prokurori Aleksandar Markovski thoshte se Jovanovi, përmes lëshimeve si prindër, ka kontribuuar për krijimin e situatës së rrezikshme.
“Në këtë rast bëhet fjalë për një fakt – dashuria e babait për djalin e vetëm ishte e madhe, por ka rezultuar me lëshime fatkeqe të prindit ndaj djalit i cili është dhënë pas veseve”, tha ai.
Prokurori theksoi se prokuroria do të dëshmojë se babai ishte ai që ka kontribuuar që të krijohej situata e rrezikshme nga ana e djalit të tij, të akuzuarit Vasil Jovanov.
“Është fakt se i akuzuari nuk ka rënë më parë në konflikt me ligjin dhe është oficer shembull në Armatën e Maqedonisë së Veriut, por, këtu nuk jemi që ta vlerësojmë profesionalizmin e tij, por atë që ai është dashur ta bëjë, ose të mos e bëjë, si prind”, shtoi prokurori.
Avokati Sasho Dukovski, përfaqësues i Jovanovit, e vlerësoi akuzën si juridikisht të pabazë dhe paralajmëroi se do të kërkojë sqarim të hollësishëm për çdo dëshmi të parashtruar.
“Bëhet fjalë për precedent ligjor i paparë në historinë ligjore maqedonase – të akuzosh një baba për veprime të kryera nga djali i tij i rritur”, tha Dukovski, i cili tregoi se do të kërkonte një shpjegim të detajuar të rëndësisë ligjore të secilës provë të paraqitur.
Në fillim të seancës së sotme, babai i Frosina Kullakova, Todor Kullakov, i parashtroi pyetje këshillit gjyqësor, duke kërkuar nga gjykatësja Snezhana Markovska të përjashtohet nga lënda.
“Është radha të përjashtoheni nga kjo lëndë, kjo është e kurdisur”, tha Kullakov, pas çka ishte larguar nga salla e gjykatës.
Avokati Dukovski reagoi se do të largohet nga gjykimi nëse Kullakov përsëri i drejtohet drejtpërdrejt.
Jovanov ndiqet për “rrezikim të sigurisë në komunikacion me veprime ose mjete të rrezikshme”, pasi prokuroria në seancën e fundit dëgjimore, bazuar në prova të marra, e ndryshoi aktakuzën, e cila fillimisht ishte “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Aktakuza kundër Zoran Jovanov vjen pasi djali i tij, Vasil Jovanov, në janar të këtij viti, ndërsa drejtonte një automobil pa leje dhe nën ndikimin e alkoolit, goditi këmbësoren Frosina Kulakova, e cila ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
The post Babai i Vasil Jovanovit nuk e pranon fajin për rrezikim të sigurisë në komunikacion, Prokuroria: Ai ka kontribuar që të krijohet situata e rrezikshme appeared first on Telegrafi.