
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nuk e ka pranuar kandidaturën e Behar Eminit nga koalicioni VLEN për komunën e Butelit.
Për këtë reaguan nga Bashkimi Demokratik për Integrim, duke thënë se VLEN pavarësisht tentativave për falsifikim të procesit, nuk ia doli.
“Ka dështuar “kandidati” i VLEN-it për kryetar Komune në Butel, i cili me urdhër të OBRM-PDUKM-së për të përçarë votën shqiptare, u paraqit në momentin e fundit me kandidaturën e tij në KSHZ. VLEN-i tentoi të falsifikojë zgjedhjet në Butel me nominimin e një kandidati që nuk e plotësonte kushtin kryesor – adresën e vendbanimit të Butelit. Behar Emini, drejtor aktual i Fondit për Sigurimin e Depozitave, kuadër i Alternativës, vjen nga Lubeteni, ndërkohë që prej kohësh ai jeton në Çair, në rrugën “Ferid Murat”, te lagja e ndërtesave te “Princi”, informuan nga BDI.
Fillimisht VLEN nuk kishte kandidat për Butel, dy ditët e fundit të afatit, koalicioni e kishte dërguar në KSHZ emrin e Eminit për kandidat në Butel, por me adresë vendbanimi në Çair.
Aktualisht, përveç LSDM-së, OBRM-PDUKM-së dhe Aleancës Kombëtare për Integrim, nuk ka kandidatura të tjera.