BDI në një kumtesë për media thotë se OBRM-PDUKM dhe ZNAM kanë nisur fushatë të re kundër regjistrimit të popullsisë.
Nga BDI thonë se “nuk ka ndodhur më parë që për politika kaq haptazi antishqiptare, partitë maqedonase të përdorin si “mashë” partitë shqiptare për të përgatitur terrenin për ndërhyrje institucionale”.
“Po shohim një model të rrezikshëm që po përsëritet me një skenar të qartë: Fillimisht, partitë e vogla shqiptare dalin dhe relativizojnë ose kritikojnë një shtyllë të Marrëveshjes së Ohrit; Më pas, OBRM-PDUKM dhe partnerët e saj e shfrytëzojnë këtë për ta sulmuar ose anuluar tërësisht. Kështu ndodhi me Balancuesin: u quajt me “defekte”, pastaj u shfuqizua. Kështu ndodhi me përdorimin e gjuhës shqipe: u përkufizua si “gjuhë e përkthyer”, dhe menjëherë pasoi sulmi ndaj ligjit”.
“Tani ka nisur edhe me regjistrimin: krijohet narrativa se procesi ka qenë i manipuluar, me qëllim që nesër të hidhet poshtë nga OBRM-PDUKM dhe ZNAM. BDI e denoncon me forcë këtë qasje si një strategji të mirëkoordinuar për të dobësuar themelet e barazisë në këtë shtet. I bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë dhe gjithë faktorëve të përgjegjshëm që ta kuptojnë rrezikun e këtij modeli të ri që prodhon ndasi, mohim dhe tension”, thonë nga BDI./Telegrafi/
The post BDI: OBRM-PDUKM dhe ZNAM përdorin partitë shqiptare për të çmontuar barazinë appeared first on Telegrafi.