Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media thotë se VLEN në përpjekje për t’ia bërë qejfin kryeministrit, po i poshtërojnë shqiptarët.
Nga BDI thonë se “partnerët shqiptarë në Qeveri poshtërohen publikisht, sikur të ishin fëmijë që kanë bërë gabime, e detyrohen të japin llogari para mediave për plane të tyre politike, për takime apo për ide të cilat nuk ua ka aprovuar Mickoski”.
“Këto parti harrojnë se mandatin nuk ua jep Hristijan Mickoski, por votuesi shqiptar – i cili, në fakt, nuk ua dha fare. Një votues që ndihet gjithnjë e më i përbuzur dhe i tradhtuar. Prandaj kemi të drejtë t’i pyesim: ndërsa ju qortoheni si nxënës para mësuesit: A ju konsultoi dikush, për shembull, kur ai zhvilloi takim monoetnik me kryetarin e LSDM-së brenda Qeverisë për të diskutuar për të ardhmen e shtetit? A ju informuan për grupet e punës që i paralajmëruan publikisht? A është e pranueshme që partitë maqedonase të flasin për çështje shtetërore në mënyrë të hapur, ndërsa partitë shqiptare duhet të kërkojnë leje për çdo lëvizje? Kur bëhen emërime të larta shtetërore, a ju pyet ndonjëherë dikush?”.
“Apo nuk ju shqetëson që në pozitat kyçe vendosen figura të njohura për qëndrime antishqiptare, pjesë të agjendave proruse dhe të botës serbe? A është kjo në rregull për ju, apo standardet vlejnë vetëm për shqiptarët? A jeni të vetëdijshëm që Kryeministri shkon rreth e rrotull dhe merr lavdata se ua ka treguar vendin shqiptarëve – dhe se ju jeni pjesë e atij folklori? Nëse nuk jeni, atëherë çfarë do të thoni për faktin që për më pak se një vit, përdorimi i gjuhës shqipe praktikisht po zhduket nga institucionet? Çfarë ndërmerrni ju kur i gjithë aparati shtetëror është aktivizuar për të shkatërruar Inspektoratin për përdorimin e gjuhëve? Deri kur do të duroni të poshtëroheni nga albanofobët që ju poshtërojnë çdo ditë – dhe a jeni të vetëdijshëm që për shkak të mungesës së mekanizmave të balancimit, shqiptarët janë pothuajse tërësisht të përjashtuar nga proceset në institucionet publike?”, thonë nga BDI.
Në fund thonë se VLEN frikësohet nga zgjedhjet parlamentare.
The post BDI: Përmes vetëposhtërimit, LEN-i i poshtëroi të gjithë shqiptarët appeared first on Telegrafi.