BDI: Qeveria po shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve, mungesa e gjuhës shqipe në procesverbalet zyrtare është diskriminim institucional

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Bashkimi Demokratik për Integrim në një kumtesë për media thotë se Qeveria shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve, pasi sipas tyre, nuk boton procesverbalet e mbledhjeve të Qeverisë edhe në gjuhën shqipe.

Nga BDI thonë se fakti që, që nga data 10 qershor 2025, janë mbajtur 14 mbledhje të Qeverisë dhe asnjë prej procesverbaleve nuk është publikuar në gjuhën shqipe në faqen zyrtare të institucionit qeveritar, përbën jo vetëm një shkelje të hapur të ligjit, por edhe një akt diskriminimi të qëllimshëm ndaj gjuhës dhe qytetarëve shqiptarë.

“Arsyetimi me “vonesa teknike” është i papranueshëm dhe përçmues. Gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe detyrimi për përkthim dhe publikim të barabartë është i sanksionuar me ligj. Çdo shmangie nga ky obligim është mohim i karakterit multietnik dhe barazisë që e garanton Kushtetuta dhe Marrëveshja e Ohrit. Nuk është rastësi që këtë klimë diskriminimi e ushqejnë pikërisht partitë që vazhdojnë të kundërshtojnë vetë ekzistencën e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe. Rikujtojmë se OBRM-PDUKM është parashtruese zyrtare e iniciativës për shfuqizimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, një institucion që në vend se të jetë garant i barazisë dhe mbrojtës i Kushtetutës, po shndërrohet në instrument parapolitik për rrënimin e çdo arritjeje nga Marrëveshja e Ohrit dhe vetë karakteri multietnik i shtetit”.

“BDI i bën thirrje Qeverisë që të ndalë menjëherë këtë praktikë përjashtuese dhe të ndërmarrë masa urgjente për zbatimin e plotë dhe pa vonesa të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Çdo neglizhencë ndaj gjuhës shqipe është neglizhencë ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj vetë themeleve të bashkëjetesës në vend”, thonë nga BDI.

Advertisement

Në fund thonë se “si subjekt politik që angazhohet për barazi gjuhësore dhe kohezion ndëretnik, nuk do të heshtim përballë këtij degradimi institucional”./Telegrafi/

The post BDI: Qeveria po shkel Ligjin për përdorimin e gjuhëve, mungesa e gjuhës shqipe në procesverbalet zyrtare është diskriminim institucional appeared first on Telegrafi.

Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy