
Raporti i fundit i eurodeputetit Thomas Waitz në Parlamentin Evropian është një aktakuzë alarmante për drejtimin që ka marrë Maqedonia e Veriut nën qeverisjen e koalicionit ZNAM–OBRM-PDUKM–VLEN. Ai konfirmon atë që BDI ka paralajmëruar prej muajsh: vendi po shndërrohet në një laborator për ndikimet më destruktive anti-perëndimore në kontinent, thuhet në reagimin e BDI-së.
“Sipas raportit, Maqedonia është bërë terren i lirë për propagandën ruse, ndikimin ekonomik të errët kinez dhe përçimin e këtyre ndikimeve përmes rrjeteve politike dhe mediatike të lidhura me “botën serbe”. Hungaria dhe Serbia luajnë rol ndërmjetësues, duke forcuar praninë autoritare dhe duke minuar kursin euroatlantik të vendit. Propaganda kundër Bashkimit Evropian, e shpërndarë përmes mediave vendore, përdor frikën identitare për të paraqitur integrimin si kërcënim, jo si shpresë. Më tej, raporti ngre shqetësime për rrjete të vjetra të shërbimeve sekrete që mund të jenë të infiltruar dhe të lidhura me interesa të huaja”, thonë nga BDI.
Nga BDI thonë se në vend të një përgjigjeje serioze, kjo Qeveri hesht.
“Në vend të mbrojtjes së sovranitetit institucional dhe orientimit perëndimor të vendit, ajo lejon që Maqedonia e Veriut të rrëshqasë në izolim dhe instrumentalizim. Ky është rezultati kur pushteti i dorëzohet axhendave të huaja, ndërsa braktisen partnerët më të rëndësishëm të shtetit – Bashkimi Evropian dhe NATO”, theksojnë nga atje.
Nga BDI akuzojnë se rruga që po ndjek kjo qeveri është rruga e izolimit, e kapjes institucionale dhe e minimit të rendit demokratik./Telegrafi/
The post BDI: Raporti i KE-së konfirmoi se Maqedonia e Veriut është laborator i ndikimeve të “botës serbe” dhe të Rusisë e Kinës appeared first on Telegrafi.