
BDI denoncon praktikat diskriminuese të punësimeve, kësaj radhe në Qendrën për Menaxhim me Kriza, ku në konkursin e fundit janë pranuar 12 maqedonas dhe vetëm 3 shqiptarë, në një institucion që udhëhiqet nga një drejtor me përkatësi shqiptare, por në shërbim të politikave të OBRM-PDUKM-së.
“Kjo situatë është alarmante dhe e papranueshme. Për shqiptarët nuk ka asnjë kuptim nëse një drejtues është shqiptar në emër, por jo në vepra, duke diskriminuar shqiptarët dhe duke shkelur barazinë. Kur menaxhimi është thjesht zbukurim etnik për të mbuluar dominimin sistematik të një etnie në institucione, atëherë kemi të bëjmë me shërbim ndaj padronit dhe jo ndaj interesit publik apo barazisë etnike.
BDI nuk do të heshtë përballë kësaj hipokrizie politike, ku në emër të përfaqësimit shqiptar, bëhen pazare të pista për pushtet, ndërsa shqiptarët vazhdojnë të diskriminohen edhe në institucionet që udhëhiqen gjoja nga shqiptarë, por që shkelin mbi interesin e shqiptarëve dhe karakterin multietnik të shtetit.
E rikujtojmë opinionin se fryma e Marrëveshjes së Ohrit nuk mund të zbatohet me shqiptarë dekorativë në krye të institucioneve, që zbatojnë urdhra nga qendrat anti-shqiptare të vendimmarrjes”, thuhet në kumtesën e BDI-së./Telegrafi/
The post BDI: Shqiptarët janë të diskriminuar në punësimet në QMK appeared first on Telegrafi.