
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj ndërprerjes së furnizimit me ujë të pijshëm pas mesnate për qytetarët shqiptarë në Komunën e Jegunovcit.
“Në ditët më të nxehta të vitit, ku temperaturat arrijnë kulmin, të ndërpritet uji për një komunitet të tërë është akt çnjerëzor, diskriminues dhe i papranueshëm”, thonë nga BDI.
Nga BDI shtojnë se ndërprerja e ujit vetëm në pjesën ku jetojnë shqiptarët, përveç se tendencioze, diskriminuese dhe shpërfillëse nuk mund të konsiderohet ndryshe.
“Kjo nuk është vetëm paaftësi menaxheriale, kjo është qasje politike. Është fytyra e vërtetë e OBRM-PDUKM-së dhe partnerëve të saj lokalë, të cilët sot i përdorin edhe shërbimet bazike si armë politike për të nënshtruar e poshtëruar shqiptarët.
Për këtë gjendje, përgjegjës është edhe VLEN, që me marreveshjen e tyre për pushtet e çoi popullin shqiptar në përjashtim të plotë: pa përfaqësim dhe pa asnjë zë institucional. Prej “Shqiptarëve të barabartë” që premtuan, sot qytetarët tanë janë bërë të padukshëm, të papërfaqësuar dhe të shpërfillur.
Kjo nuk është demokraci. Kjo është qeverisje me urrejtje dhe logjikë ndarjeje edhe të ujit të pijshëm.
BDI kërkon që menjëherë të ndërpritet kjo politikë e ndëshkimit kolektiv dhe që uji i pijshëm t’u vihet në dispozicion të gjithë qytetarëve të Jegunovcit, pa dallim etnie apo bindjeje. Ftojmë institucionet shtetërore dhe Avokatin e Popullit të reagojnë pa vonesë dhe të vendosin para përgjegjësisë autorët e kësaj padrejtësie.
E drejta për ujë të pijshëm është e drejtë universale që duhet ta gëzojnë të gjithë njerëzit pa përjashtim dhe pa dallim etnie, përkatësie politike, fetare, gjuhësore, sociale, gjinore. Uji është e drejtë. Jeta është e drejtë. Dhe të drejtat nuk ndalen me vendime të ndyra politike”, thuhet në reagimin e BDI-së.
The post BDI: Shqiptarëve në Komunën e Jegunovcit po iu ndërpritet uji qëllimisht, VLEN nuk po reagon për këtë akt tendencioz appeared first on Telegrafi.