Bekim Fazliu në “PodGo”: Lëvizja Arbëria u themelua si revoltë, mund të marrim pjesë në zgjedhjet lokale

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Arbëria, Bekim Fazliu, është i ftuari i radhës në emisionin “PodGo” në Telegrafi Maqedoni, me të cilin kemi diskutuar për themelimin e lëvizjes së re, partitë shqiptare në qeveri dhe opozitë, si dhe pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. Fazliu tha se kanë vendosur që të jenë lëvizje qytetare që do të udhëhiqet nga Këshilli Drejtues, pra nuk do të kenë kryetar.

Ai tha se së shpejti do të marrin vendim nëse do të jenë pjesëmarrës në zgjedhjet lokale, ndërsa theksoi se nuk do të merrnin asgjë nga partitë shqiptare, qoftë ato në pushtet ose opozitë.

“Lëvizja Arbëria është organizatë, por jo në kuptimin e zakonshëm siç i kemi parë në 20 vitet e fundit, është krejtësisht ndryshe për nga karakteri e kemi nis me karakter qytetar. Lëvizja Arbëria është organizatë që lind si nevojë e kohës, si reflektim për këtë 20 vjeçar, por edhe si revoltë dhe si e mirë që mungon. Si shqiptarë në Maqedoni kemi shumë probleme, duke u nisur nga statusi i pazgjidhur dhe problemet e përditshme, dhe ne do të kërkojmë dhe ofrojmë zgjidhje për këto probleme”.

Advertisement

“Arbëria është ide me qëllime të ndershme dhe fisnike, ide që nuk i shpikim ne sot, por që janë bartur brez pas brezi, që shqiptarët të jenë zot në këtë vend, të jenë të barabartë me të tjerët. Është ideja fisnike e Arbër Xhaferit, i cili është keqpërdorur edhe nga partitë tjera. Arbëria ka për qëllim fillimisht realizimin e drejtë të Marrëveshjes së Ohrit. Në vitin 2025 pas kaq viteve nga nënshkrimi i marrëveshjes, ajo nuk është realizuar. BDI nuk e ka realizuar Marrëveshjen e Ohrit, por ka realizuar marrëveshjen e tyre, herë me LSDM-në e herë me OBRM-PDUKM-në. BDI ka pasur për qëllim vetëm të grumbullojë poste. Nëse i shtrojmë drejt kërkesat e Marrëveshjes së Ohrit, do të hasin përkrahje edhe në faktorin ndërkombëtar”, tha Fazliu.

E pyetëm edhe për partitë shqiptare, të ndërsa tha se VLEN ka performancë pak më të mirë në qeveri, se sa BDI-ja kur bashkëqeveriste me OBRM-PDUKM-në.

“Është një vit, nëse krahasojmë BDI-OBRM dhe VLEN-OBRM, mund t’i kisha vlerësuar VLEN-in me një shkallë pak më pozitive. Mundohen të bëjnë disa punë, psh zgjidhën statusin e Medreses, pikën kufitare në Bllacë, por në përgjithësi shoh edhe performancë të dobët, më shumë mbrohen se sa sulmojnë. Por nëse e krahasojmë me BDI-në kur ka qenë me OBRM-PDUKM-në janë më mirë. Ndërsa sa i përket opozitës, ata ende nuk janë opozitë. Kam pritur reforma nga BDI, por fatkeqësisht vazhdojnë me figura të diskredituara, që populli nuk i mban mend për projekte të mira, por vetëm për të dëmshme, të cilët kanë bërë pasuri marramendëse personale. Ndërsa shumë të tjerë të rinj, nuk u jepet hapësirë”, tha Fazliu.

Advertisement

Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, ai tha se së shpejti do të dalin me vendim përfundimtar.

“Kemi pasur mbledhje të Këshillit Drejtues, mund të dalim me lista këshilltarësh nëpër komuna. Gjithashtu ka mundësi të dalim me kandidat për kryetar komune dhe lista për këshilltarë, por ka hapësirë edhe për bashkëpunim me lëvizje qytetare dhe parti politike. Nuk vrapojmë shumë pas posteve”, tha Fazliu./Telegrafi/

The post Bekim Fazliu në “PodGo”: Lëvizja Arbëria u themelua si revoltë, mund të marrim pjesë në zgjedhjet lokale appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy