
Për shkak të rritjes së shpenzimeve materiale, tarifave fikse të pandryshuara për më shumë se dy dekada, si dhe numrit gjithnjë në rritje të zyrave noteriale në shtet, Dhoma Noteriale propozon rritje të çmimeve për disa shërbime. Për këto sfida, ata kanë biseduar edhe me Ministrinë e Drejtësisë, ku kanë kërkuar ndryshime në rregullativën ligjore.
Tarifa për legalizimin e dokumenteve, e cila është 100 denarë, nuk është ndryshuar për 27 vitet e fundit, informojnë nga Dhoma.
Noterët theksojnë se me këtë shumë është e pamundur të lëshohet dhe përpunohet një urdhër pagese, të përgatitet dhe dërgohet një vendim, të arkivohen dokumentet për një periudhë prej tre vitesh, dhe më pas të shkatërrohen.
Dhoma Noteriale kërkon gjithashtu rikthimin e rregullimeve të vjetra ligjore sipas të cilave një noter duhet t’u shërbejë së paku 20.000 banorëve, si dhe rishikimin e pjesëmarrjes së detyrueshme të avokatëve në proceset para noterëve.
Kërkesat e tyre përfshijnë edhe rregullimin e kompensimit për aktivitete në terren që aktualisht kryhen pa mbulim të përshtatshëm të shpenzimeve.
“Ne kryejmë punë në terren pa asnjë njohje materiale ose financiare. Presim që të paktën këto angazhime të vlerësohen siç duhet. Nëse flitet për një rritje prej 100%, kjo do të thotë nga 100 denarë në 200 denarë. Për krahasim, Kumanova ka 70.000 banorë dhe punojnë 14 noterë, kurse sipas kriterit duhet të jenë katër ose pesë. E njëjta gjendje është edhe në Shkup, ku ka 70 zyra noteriale për 660.000 banorë”, theksojnë nga Dhoma.
The post Dhoma Noteriale propozon rritjen e çmimeve për disa shërbime appeared first on Telegrafi.