
Ministria e Financave ka ndërmarrë disa nisma ligjore për avancimin dhe përforcimin e kornizës rregullatore për rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin financiar dhe krijimin e bankave të fuqishme, të cilat janë partnerë të fuqishëm në zbatimin e politikave të Qeverisë për përkrahjen e ekonomisë vendore. Këtë e bëri të ditur ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në edicionin e ri të e-buletinit të Asociacionit Bankar të Maqedonisë, të publikuar në muajin prill të vitit 2025.
“Ligji i Zgjidhjes së Problemeve të Bankave” është hap i rëndësishëm në këtë segment, me të cilin krijohet një kornizë e re rregullatore që do ta mundësojë ndërhyrjen në kohë në institucionet kreditore lidhur me problemet e tyre, si dhe krijimin e parakushteve për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe besueshmërinë e publikut në sektorin bankar, njëkohësisht duke shmangur ndikimin e theksuar negativ mbi sistemin financiar, duke siguruar vazhdimësinë e funksioneve kryesore të bankave, përkatësisht mbrojtjen e deponuesve dhe klientëve”, shkruan ministrja.
Ajo shton se ligji në fjalë, zbatimi i të cilit pritet në tremujorin e fundit të këtij viti, përcakton rregulla, procedura dhe instrumente për zgjidhjen e problemeve të bankave, kompetenca të Bankës Popullore si organ për zgjidhjen e problemeve bankare, si dhe aktivitete pas inicimit të procedurës për zgjidhjen e problemeve të bankave dhe se në këtë mënyrë do të sigurohet parandalimi i josolvencës dhe ulja e pasojave negative mbi sistemin financiar.
Sipas ministres, instrumentet për zgjidhjen efektive të problemeve bankare që do të vendosen, do të garantojnë shmangien e shfrytëzimit të mjeteve të obliguesve tatimorë për t’i shpëtuar këto institucione. Ajo shton se kjo nënkupton kufizimin e shfrytëzimit të instrumenteve shtetërore dhe se ato mund të aktivizohen vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, pasi të jenë shteruar të gjitha opsionet e tjera.
Ministrja shpjegoi se nga ana tjetër, me krijimin e Fondit e Zgjidhjes së Problemeve të Bankave, Banka Popullore do të jetë përgjegjëse për menaxhimin e procedurave dhe mjeteve në rastet e problemeve financiare.
Ky ligj nënkupton vendosjen e disiplinës së tregut dhe besimit në sektorin bankar, si dhe harmonizimin me standardet evropiane, që është hap i rëndësishëm përpara në avancimin e kornizës rregullatore dhe supervizionit në vendin tonë.
Në kumtesë thuhet se me nismën e re për ligjin e ri të bankave pritet edhe përforcimi i mëtejshëm i stabilitetit financiar dhe përforcimi i përgjithshëm i sistemit financiar për shkak të rritjes së sigurisë së sektorit bankar. Qëllimi i zgjidhjes së re ligjore është përforcimi i kapacitetit të bankave për menaxhimin adekuat të risqeve që lidhen me aktivitetet e tyre, si dhe lehtësimi i humbjeve potenciale që mund të krijohen gjatë punës afariste, me ç’rast implementimi në këtë drejtim do ta rrisë më tej nivelin e kapitalit cilësor të bankave dhe do ta përforcojë supervizionin.
Dimitrieska-Koçoska nënvizoi se në të gjitha këto aktivitete është i rëndësishëm edhe theksimi i rolit të Bankës Popullore, si dhe përforcimi i pavarësisë së saj, gjë që do të mundësohet me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të Ligjit të Bankës Popullore.
Më tej, ministrja theksoi rëndësinë e sektorit bankar në zbatimin e politikave ekonomike të Qeverisë, duke përmendur këtu aktivitetet të cilat po zhvillohen në realizimin e 250 milionë eurove të siguruara me huatë e favorshme për kompanitë vendore.
The post Dimitrieska-Koçoska: Nisma legjislative për avancimin dhe përforcimin e kornizës rregullatore dhe për rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin financiar appeared first on Telegrafi.