
Ballkani Perëndimor është prova e vërtetë e aftësisë së Bashkimit Evropian për t’u pozicionuar si një lojtar i fortë global. Ky ishte mesazhi kryesor i Zëvendësministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Zoran Dimitrovski, në fjalimin e tij në konferencën shkencore dhe profesionale të organizuar nga Universiteti “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir dhe Universiteti Shtetëror i Tetovës me temë: “Drejt një zone të sigurt euroatlantike në një botë të globalizuar”.
Dimitrovski theksoi se në kohë tensionesh të mëdha gjeopolitike, të shkaktuara veçanërisht nga lufta në Ukrainë, Evropa duhet të tregojë unitet dhe vendosmëri.
Sipas tij, e ardhmja e Bashkimit Evropian varet nga aftësia e tij për t’iu përgjigjur kërcënimeve me një strategji të qartë dhe politika të qëndrueshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Ky rajon prej kohësh nuk është më vetëm një periferi, por një pjesë thelbësore e hapësirës evropiane të sigurisë dhe ekonomisë. Politikat e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor janë një provë e vërtetë për ambicien e saj globale. Nëse dëshiron të jetë një faktor global, BE duhet të jetë vendimtare këtu”, tha Dimitrovski.
Ambasadorja e Republikës Federale të Gjermanisë, Petra Drexler, theksoi se Evropa duhet të marrë përgjegjësi më të mëdha për sigurinë e saj dhe se partneriteti transatlantik me Shtetet e Bashkuara mbetet një shtyllë kyçe për paqen dhe stabilitetin.
“Paqja dhe siguria në kontinent nuk mund të merren si të mirëqena. Nevojiten investime në aftësitë mbrojtëse, por edhe në partneritete të forta. Vetëm një Evropë e bashkuar mund t’u përgjigjet sfidave të reja”, tha Drexler, duke njoftuar rritje të investimeve në siguri dhe mbështetje për Ukrainën./Telegrafi/
The post Dimitrievski: Nëse dëshiron të jetë një faktor global, BE duhet të jetë vendimtare në Ballkani Perëndimor appeared first on Telegrafi.