
Kandidatët e koalicioneve VLEN dhe AKI për kryetarë komunash, gjatë ditës së sotme kanë vazhduar me aktivitet në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale.
Kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në një konferencë për media sot prezantoi shtyllën e parë themelore të programit zgjedhor, një plan të detajuar për modernizimin e plotë të infrastrukturës rrugore dhe zgjidhjen përfundimtare të problemit të parkimit në komunën e Çairit.
Në fjalimin e tij, Mexhiti theksoi se Çairi do të bëhet një komunë moderne, e rregulluar dhe funksionale, ku jeta e përditshme e qytetarëve do të jetë më e lehtë dhe më cilësore. Sipas tij, investimi më i madh në historinë e komunës së Çairit do të bëhet në hapësirat për parkim, me projekte konkrete që do të lehtësojnë jetën e qytetarëve.
“Vizioni ynë është i qartë, Çairi do të bëhet një komunë moderne, e rregulluar dhe funksionale, një vend ku jeta e përditshme e qytetarëve është e lehtësuar, jo e vështirësuar. Prandaj, në katër vitet e ardhshme, fokusi ynë do të jetë në projekte kapitale që sjellin rend, siguri dhe standarde evropiane. Nuk do të ketë improvizime, por zgjidhje sistematike. Kemi vendim të qeverisë dhe furnizim të hapur për ndërtimin e parkingut nëntokësor me dy kate nën sheshin “Skënderbeu”, me kapacitet për 800 vetura në një sipërfaqe prej mbi 12.500 metra katror. Kjo do tëlirojë bërthamën qendrore, do të mundësojë funksionim normal dhe do ta rrisë vlerën e Çarshisë”, ka deklaruar Mexhiti.
Ndërsa kundërkandidati i tij, Bujar Osmani, prezantoi strategjinë e tij gjithëpërfshirëse për mbështetje shëndetësore dhe sociale të pensionistëve. Masat, siç theksoi Osmani, do të realizohen me buxhet të dedikuar, me partneritete konkrete dhe me përfshirjen e vetë pensionistëve në zbatimin e tyre.
“Pjesët më të rëndësishme të kësaj strategjie janë dy projektet madhore shëndetësore, “Kujdes në shtëpi” dhe “Spitali lëvizës në lagje”, përmes të cilëve komuna, për herë të parë, do të zbatojë modelin e kujdesit shëndetësor që shkon te qytetari, e jo anasjelltas. Do të formojmë ekipe mobile të përbëra nga mjekë dhe infermierë që do të vizitojnë pensionistët në shtëpitë e tyre, veçanërisht ata që jetojnë vetëm. Ideja është që këta persona të mund të vizitohen nga ekipe mjekësh dhe fizioterapistësh deri në dy herë në javë”, shpjegoi Osmani.
Ai theksoi se përmes projektit “Spitali lëvizës”, komuna do të organizojë një karvan mjekësh që do të kryejnë kontrolle shëndetësore falas në lagjet e Çairit, në periudha të caktuara.
Kryetari aktual dhe kandidati për kryetar komune të Gostivarit nga Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI), Valbon Limani, prezantoi një pjesë të programit të tij për rininë gjatë një debati të organizuar në qendrën rinore “iCan”. Në fokus të programit qëndron mbështetja për start-up-et dhe përfshirja aktive e të rinjve në jetën komunitare dhe në vendimmarrje. Një nga pikat kyçe të këtij programi është ofrimi i granteve prej 60.000 denarësh për të rinjtë nën 30 vjeç që synojnë të hapin bizneset e tyre.
“Çdo vit do të mbështeten 30 të rinj përmes kësaj skeme, me qëllim zhvillimin dhe realizimin e ideve afariste,” deklaroi Limani.
Një tjetër iniciativë është emërimi i ‘Ambasadorëve të Respektit’ në shkolla.
“‘Ambasadorët e Respektit’ do të promovojnë mesazhe kundër bullizmit dhe do të luajnë rol kyç në parandalimin e kësaj dukurie në institucionet arsimore”, shtoi më tej Limani.
Edhe kandidati i VLEN-it për Gostivarin, Sebaedin Dauti, në një postim në rrjetet sociale, ka publikuar fotografi nga aktivitetet e tij.
“Sonte, në Gostivar, ndjeva fuqinë e bashkimit dhe besimin se ndryshimi është i pashmangshëm. Me Një Zë, po ecim drejt një Gostivari europian që punon për njerëzit, jo për interesat personale. Unë besoj në politikën e ndershmërisë, të fjalës që kthehet në vepër dhe të punës që sjell dinjitet. Kjo është rruga që po ndërtojmë bashkë me qytetarët, rrugë e përbashkët, e drejtë dhe me vizion. Më 19 tetor, Gostivari do të flasë me Një Zë, për punë, për zhvillim dhe për të ardhmen që e meritojmë”, ka shkruar Dauti./Telegrafi/