
Koalicionet politike në Maqedoninë e Veriut sot në ditën e tretë kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 19 tetor.
Kandidati për kryetar në Komunën e Tetovës nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, sot ka vizituar banorët në fshatin Falisht. Prej atje Kasami tha se “ky fshat është shembull i qartë se si puna e ndershme dhe vizioni i qartë sjellin ndryshim të prekshëm në jetën e qytetarëve”.
“Janë realizuar dy projekte madhore, të cilat për dekada me radhë kishin mbetur vetëm premtime: Ndërtimi i rrugës moderne për fshatin Falisht; Zgjidhja përfundimtare e problemit me ujin e pijshëm, duke garantuar furnizim cilësor për çdo familje”.
“Këto janë dëshmi të qarta se ne nuk flasim me fjalë boshe. Ne punojmë, realizojmë dhe ndryshojmë realitetin. Falishti sot ka rrugë dhe ujë të pastër, ndërsa nesër Tetova do të ketë edhe më shumë projekte që e bëjnë jetën më të mirë për secilin qytetar”, ka deklaruar Kasami.
Ai gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve që më 19 tetor të japin mbështetje me votë për të vazhduar, siç tha, këtë rrugë të suksesshme të zhvillimit.
Ndërsa kandidati i VLEN-it për kryetar të Çairit, Izet Mexhiti, sonte ka takuar banorët e fshatit Gaber.
“Banorëve u përcolla lajmin e mirë se rikonstruksioni i rrugës ka nisur, dhe se ky projekt do të sjellë lehtësira të mëdha për ta, kështu duke i dhënë fund një problemi shumëvjeçar dhe duke lehtësuar qasjen e tyre drejt vendlindjes. Kjo është qeverisja jonë, e përkushtuar ndaj zhvillimit të barabartë të çdo zone dhe respektit për nevojat e secilit qytetar”.
“Falënderoj banorët e Gaberit për besimin, mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të sinqertë. Dera ime do të jetë gjithmonë e hapur për ta, si për të dëgjuar, ashtu edhe për të vepruar”, ka njoftuar Mexhiti.
Kurse kundërkandidati i tij nga koalicioni AKI, Bujar Osmani, në një konferencë për media e paraqiti vizionin e tij për zgjidhjen e problemit me parkimin, duke paralajmëruar se komuna po përballet me rrezik nga një kolaps i plotë i komunikacionit.
Ai e prezantoi strategjinë e ndarë në fazë afatshkurtër, afatmesme dhe afatgjatë. Plani afatshkurtër parasheh që në çdo lagje dhe çdo rrugë të sigurohen së paku dy vende të reja parkimi, një falas dhe një me pagesë, përmes zonave komunale të interesit dhe partneritetit publik-privat.
“Plani afatmesëm parasheh ndërtimin e garazheve nëntokësore dhe mbi tokë me kate. Te shkolla ‘Vasil Gllavinov’ do të ndërtojmë një parking nëntokësor me dy kate me 1.000 vende, i cili do ta lirojë tërësisht bulevardin ‘Xhon Kenedi’ nga veturat. Te kopshti ‘Vesëza’ do të ketë një garazh nëntokësor me tre kate me rreth 520 vende, te sheshi i ri ‘Liria’ një parking nëntokësor me 380 vende, ndërsa te Sahat Kulla një garazh me kate me 120 vende”, tha Osmani.
Përveç këtyre, Osmani theksoi se plani i ri urbanistik do të parasheh edhe katër garazhe të tjera me kate me gjithsej edhe 1800 vende shtesë. Qasja afatgjatë, siç tha Osmani, lidhet me urbanizimin e plotë në vertikalë.
Ndërsa kandidati për kryetar të Tetovës nga AKI, Bajram Rexhepi, fushatën sot e ka vazhduar në rrjetet sociale, ku ka ngritur shqetësimin për gjendjen e qendrës së re tregtare, e cila sipas tij është lënë në harresë nga institucionet lokale dhe nuk po e përmbush funksionin që duhet të ketë për qytetarët dhe bizneset lokale.
“Qendra e re tregtare në Tetovë është lënë në harresë! Qytetarët dhe pronarët meritojnë që këtij objekti tregtar, në zemër të Tetovës, t’i kthehet shkëlqimi dhe gjallëria që i takon” deklaroi Rexhepi përmes një postimi.
Ai premton se me ardhjen e tij në krye të komunës, ky objekt do të trajtohet me prioritet dhe do të bëhet një hapësirë funksionale, dhe e hapur për të gjithë qytetarët e Tetovës.