
Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, prezantoi sot masën e re të praktikës si pjesë e Planit operativ për masat aktive të punësimit për vitin 2025. Ai tha se me këtë masë, investohet drejtpërdrejt në njohuritë, kapacitetet dhe potencialin e të rinjve deri në moshën 29 vjeç.
“Ky nuk është vetëm plan në letër – ky është plan për të ardhmen. Plan në të cilin çdo i ri, çdo grua, çdo i papunë ka një shans. Qëllimi i masës është 1.352 persona të papunë deri në moshën 29 vjeç, me të paktën arsim të mesëm, të përvetësojnë shkathtësi praktike pune, njohuri dhe përvojë. Risi është vendosja e praktikave virtuale – onlajn për 40 persona, i përshtatur me kushtet moderne të punës. Për të gjithë të përfshirët, është siguruar kompensim prej 12.000 denarë, me sigurim dhe tatim personal të paguar, në kohëzgjatje deri në tre muaj”.
“Masa është pjesë e Planit më të gjerë operativ të punësimit, me të cilin Qeveria ndau shumën rekorde prej 40 milionë eurosh për mbi 10.000 qytetarë. Nëpërmjet masës për subvencionimin e punësimit, u bëhet thirrje ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, bizneseve sociale dhe organizatave qytetare që të krijojnë vende të reja pune. Deri më tani kanë mbërritur 1.133 aplikime për mbi 1.400 punësime”, tha Durmishi.
Më tej theksoi se mbështetja financiare arrin në 250.000 denarë për punësimin e personit të ri deri në 29 vjeç; 220.000 denarë për gratë, romët, personat me aftësi të kufizuara, të papunët afatgjatë dhe përdoruesit e ndihmës sociale; 160.000 denarë për personat mbi 29 vjeç.
“Deri më tani, përmes thirrjeve publike për masa aktive, janë parashtruar 6,026 aplikime . Disa nga masat më të kërkuara janë:- deri në 7,000 euro për fillimin e biznesit për personat mbi 29 vjeç; – deri në 10.000 euro për të rinjtë deri në 29 vjeç me ide inovative; – deri në 20.000 euro për bizneset e përbashkëta të së paku dy personave”.
“Interesi për masat tregon se qytetarët nuk heqin dorë. Përkundrazi, ata janë të gatshëm të bëjnë një hap përpara”, tha tutje ministri.
Theks plotësues është vënë në Masën 3.1 – Trajnimi me një punëdhënës të njohur, i cili paraqet urë lidhëse midis qytetarëve që kërkojnë punë dhe kompanive që kanë nevojë për staf. Sipas ministrit, kjo masë është një nga format më të suksesshme të përgatitjes për punësim.
“Filloni diçka që është e juaja, rrini këtu, bashkohuni me ekipin që rritet. Ne do t’ju mbështesim me njohuri, me mjete, me mbështetje të vërtetë institucionale”, porositi të rinjtë ministri Durmishi.
The post Durmishi prezanton masën e re të praktikës: Mundësi për mbi 1.300 të rinj të papunë appeared first on Telegrafi.