Kandidatët e VLEN-it dhe AKI-së edhe gjatë ditës së sotme kanë vazhduar me aktivitetet në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale.
Kandidati i VLEN-it për kryetar të Tetovës, Bilall Kasami, sonte ka mbajtur tubim në fshatin Shipkovicë. Në facebook Kasami shkruan se ka marrë mbështetje nga fshatrat e malësisë.
“Sonte në Shipkovicë, bashkë me banorët e Gajres, Lisecit, Brodecit, Veshallës dhe Bozovcës, dëshmuam edhe njëherë se zhvillimi nuk është më premtim, është realitet që po ndodh. Sepse ne kemi bërë atë që të tjerët vetëm e premtuan!Ata e harruan malësinë, ne e ngritëm. Ata i shfrytëzuan fshatrat vetëm për votë, ne i kthyem në prioritete të investimeve tona. Ata flisnin për ndryshim, ne e sollëm ndryshimin!”.
“Në këto katër vite, malësia ka parë punë e jo propagandë: nisëm asfaltimin e rrugës në Shipkovicë (përfundon së shpejti), asfaltuam rrugën dhe ndërtojmë shkollën në Sellcë, përfunduam rikonstruimin e rrugës Brodec – Veshallë. Këto janë vetëm disa nga projektet që i kemi shndërruar në realitet, ndërsa ajo që vjen është edhe më e mirë”, ka shkruar Kasami në Facebook.
Kundërkandidati i tij nga radhët e AKI-së, Bajram Rexhepi, shpalosi planin për Kodrën e Diellit. Ai tha se do të ndërtohen 20 hotele të reja, ndërsa për përmirësimin e infrastrukturës tha planifikohet të bëhet me partneritet publiko-privat. Përveç kësaj Rexhepi tha se do të ndërtohet edhe teleferik dhe garazhet me kate.
“Plani është që të ndërtohen edhe së paku dy hyrje të reja në Kodrën e Diellit. Sigurisht që edhe pjesa e infrastrukturës është planifikuar do të ndërtohet një pishinë e madhe për prodhimin e borës artificiale, do të ndërtohen shtigjet e reja të skijimit. Plani tjetër është që edhe infrastruktura në qytet të organizohet si duhet, të krijohen kushte që turistët të kenë mundësi shumë më të lehta të vijnë deri në Kodër të Diellit”, tha Rexhepi.
Kandidati i AKI-së për kryetar të Gostivarit, Valbon Limani, ka prezantuar një pjesë të programit të tij për komunën. Ai tregoi se ka hartuar një planifikim urban për zhvillim modern hapësinor që do ta transformojë qytetin në një hapësirë të gjallë funksionale dhe bashkëkohore.
Përmendi projektim për urën e re që do të quhet “Ura e Harmonisë”, transformimin dhe hapjen e bulevardin kryesor, parkimin nëntokësor pranë komunës dhe rilindjen e qendrës së qytetit me nënkalim për automjetet dhe këmbësorët. Foli edhe për mbështetjen ndaj ekonomisë dhe të rinjve.
“Për të nxitur ekonominë vendore dhe për të krijuar më shumë mundësi punësimi, do të zbatojmë një politikë të re mbështetëse për bizneset dhe inovacionin. Taksat komunale për kompanitë e reja do të reduktohen nga 6 mijë denarë vetëm në 1 mijë denarë në 5 vitet e para të funksionimit. Rinia e ardhmja jonë – për çdo të ri apo të re deri 30 vjeç do të mbështesim start-upet e tyre me 60 mijë denarë”, tha Limani.
VLEN ka mbajtur tubim qendror edhe në Saraj. Kandidati i tyre për këtë komunë Muhamed Elmazi, tha se planprogrami i tij ka dalë si rezultat i takimeve derë më derë me qytetarët.
“Vota për planprogramin tim është votë për familjet dhe fëmijët tanë. Ky plan program ka dalë nga vizitat derë më derë, në çdo lagje dhe vendbanim të komunës sonë. Ky planprogram ka të bëjë me të ardhmen tonë. Pika e parë e planprogramit tim është infrastruktura. Liqenin e Treskës dhe Matkën do t’i shndërrojmë në qendra turistike. Do të ndërtojmë shkolla dhe çerdhe të reja”, tha Muhamed Elmazi nga Saraji.
Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, ndërsa 24 orë para votimit do të ketë heshtje zgjedhor./Telegrafi/