
Derisa qytetarët kanë pritur për gati një dekadë autostradën e re Kërçovë-Ohër, e cila duhet të jetë gati deri në fund të vitit 2026, ekspertët besojnë se Maqedonia mbetet dukshëm prapa fqinjëve të saj më të afërt, Serbisë dhe Shqipërisë, për sa i përket infrastrukturës rrugore. Verica Dançevska, Profesoreshë në Fakultetin e Teknologjisë në Manastir thotë se përfundimi i autostradës historikisht më të gjatë në ndërtim e sipër, Kërçovë-Ohër, është çështje politike dhe për këtë arsye duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur. Deri më tani kanë ndryshuar disa qeveri dhe asnjëra nuk ka arritur ta përfundojë atë.
“Mendoj se duhen bërë përpjekje që më në fund të përfundojë sepse është shumë e rëndësishme, sepse është pjesë e Korridorit 8, i cili duhet të kalojë nëpër Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri, domethënë nga Deti i Zi deri në Durrës, duhet të përfundojë, gjë që do të jetë shumë e rëndësishme për vendin tonë dhe për ata që kalojnë tranzit nëpër vendin tonë që të jenë në zgjidhje autostrade, të përfundojë më në fund, sepse ka shumë aksidente trafiku me pasoja katastrofike. Duhet të gjejmë mjete, mënyra, si ta përfundojmë korridorin në kohën më të mirë të mundshme”, deklaroi Verica Dançevska – profesoreshë në Fakultetin e Teknologjisë në Manastir.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Koce Trajanovski tha se brenda gjashtë muajve Qeveria arriti të përfundojë dhe të lëshojë në funksion dy rrugë, të cilat janë shumë të rëndësishme. Ndërkohë ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski premtoi se punimet do të përfundojnë deri në fund të vitit të ardhshëm
“Deri në fund të vitit të ardhshëm, do ta përfundojmë plotësisht Ohër-Kërçovë. A është e mundur kjo? Është e mundur që ta përfundojmë”, u shpreh Aleksandar Nikolloski – Ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Sipas njoftimeve, pjesa e autostradës nga Ohri deri në fshatin Vërbjan duhet të vihet në funksion deri më 12 korrik. /Alsat/
The post Ekspertët: Infrastruktura e Maqedonisë mbetet dukshëm prapa fqinjëve të saj appeared first on Telegrafi.