
Kandidati i Koalicionit AKI për Komunën e Bërvenicës, Enver Pajaziti, mbrëmë ka mbajtur tubim me banorët e komunës. Siç thuhet në njoftim, Pajaziti prezantoi platformën dhe vizionin për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
“Një falënderim i veçantë shkon për çdo qytetar që mori pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme. Ju jeni forca dhe motivi kryesor i kësaj beteje politike. Fitorja është shumë afër! Na ndajnë vetëm edhe dy javë për të mobilizuar çdo shtëpi, çdo votë dhe çdo qytetar – për të përmbushur obligimin tonë moral dhe ligjor, duke i dhënë fund korrupsionit dhe keqqeverisjes që ka rënduar mbi komunën tonë”.
“Një mesazh i veçantë për diasporën: Duke filluar nga familja ime e gjerë, e cila në pjesën më të madhe fatkeqësisht mungoi jo vetëm mbrëmë, por edhe në përditshmëri, ndjej nevojën të theksoj se diaspora mbetet shtylla më e fuqishme e përkrahjes sonë ndër vite. Ju kemi borxh – sepse gjithmonë keni qenë aty: mbështetës të palodhur të çdo iniciative, pjesëmarrës të çdo ndryshimi të rëndësishëm dhe shembull i vullnetit për një të ardhme më të mirë”.
“Një thirrje e sinqertë për ju: Kushdo që ka mundësi, ju lutem që në ditët e votimit të na bashkoheni fizikisht dhe përmes votës suaj ta bëjmë ndryshimin realitet. Vota juaj ka peshë – dhe këtë herë, më shumë se kurrë, ajo është vendimtare. Ju jam thellësisht mirënjohës për përkrahjen dhe besimin tuaj! Bashkë drejt fitores së madhe më 19 Tetor!”, thuhet në njoftimin e Pajazitit.