Fetai: Qeveria miratoi strategji të re për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Qeveria miratoi Strategjinë e re për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme së bashku me Planin e saj të Veprimit për vitet 2025-2028. Strategjia parashikon ndryshimin dhe miratimin e disa ligjeve, por edhe vendosjen e mekanizmave që në kuadër të institucioneve përkatëse konfiskimi i pasurisë së paligjshme të bëhet në mënyrë sa më efikase.

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai sqaron për Alsat se me këtë Strategji formohet sistem i cili ka qasje më të strukturuar dhe sistematike.

“Masat konkrete janë një, funksionalizimi i Zyrës për rikuperimin e aseteve, e thash staf 1.5 staf “full time” aty, totalisht e pamjaftueshme për çfarëdolloj hetimi financiar, në nivel vendi apo botëror, siç e ka dhe mandat kjo zyrë. Do të rishikojmë kuadrin ligjor sepse kemi vërejtur dhe kemi diskutuar vazhdimisht me prokurorinë dhe me gjyqësorin dhe kemi vërejtur se ka mangësi të theksuar për sa i përket ligjit për sekuestrim në procedurë civile që është mënyra më e lehtë për të konfiskuar pronë të paligjshme, por se sistemi aktual nuk e mundëson dhe nuk e lejon që kjo praktikë të gjeneralizohet”, deklaroi Arben Fetai, zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.

Strategjia parashikon që të rritet buxheti dhe të investohet më shumë në burimet njerëzore të institucioneve që duhet të zbatojnë detyrat që dalin për konfiskimin e pronave të përfituara në mënyrë të paligjshme. Ndërsa për të ndjekur zbatimin e masave, është formuar një Këshill Nacional, i cili do të ndjekë në vazhdimësi procesin.

Advertisement

“Kemi futur në kuadër të Strategjisë së re për herë të parë një Këshill Nacional për hetime financiare dhe konfiskim të aseteve të paligjshme të cilin do ta kryesoj si zëvendëskryeministër dhe në përbërje të cilit do të ketë të gjithë ministrat përgjegjës, ministri i Brendshëm, ministrja e Financave, ministri i Drejtësisë, drejtori i Doganave, drejtori i Agjencisë për Pronën e Konfiskuar dhe atë për Rikuperimin e Aseteve”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër për Qeverisje të Mirë.

Me strategjinë e re, parashikohet gjithashtu trajnim të zyrtarëve nëpër agjenci të ndryshme, përforcimin e kapaciteteve të Agjencisë për Menaxhim me Pronën e Konfiskuar, por edhe formimin e një sektori të specializuar në Drejtorinë e Policisë Financiare. Në kuadër të ndryshimeve ligjore, pritet të ketë ligj të ri për Procedurë Penale, Ligj të ri për Drejtorinë Doganore, por edhe për veprimtarinë valutore, Policinë Financiare dhe bankat.

Duhet të formohen ekipe të përziera për hetime financiare mes institucioneve të vendit, por edhe rritje të bashkëpunimit me agjencitë evropiane. Ndër masat, është edhe krijimi i një baze elektronike të të dhënave./Alsat/

The post Fetai: Qeveria miratoi strategji të re për konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme appeared first on Telegrafi.

Advertisement
Share.

Leave A Reply

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy