
“Sa herë që kryeministri gjendet në një situatë ku nuk mund të menaxhojë dhe nuk mund të gjejë zgjidhje për problemin, dikush tjetër është fajtor”, tha kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në lidhje me zjarret në deponitë në rajonin e Shkupit dhe mënyrën se si Qeveria po e menaxhon të gjithë situatën.
“Në 15 muajt e fundit, fillimisht kishte mbikëqyrje me dronë, kishte përpjekje për destabilizim, pastaj sulme hibride, dhe tani po ndodh diçka e organizuar nga qendra të ndryshme të huaja të pushtetit. Mendoj se asnjë kryeministër nuk ka guxuar ta keqpërëdorë situatën në aspektin e sigurisë në këtë mënyrë, as të keqpërdor instrumentet e sigurisë në vend. Nuk kemi parë asnjë zgjidhje të vetme për asnjë problem nga kjo qeveri”, thotë Filipçe.
Ai shtoi se nëse është ashtu siç thotë kryeministri për situatën aktuale me zjarret në deponi dhe nëse jemi vërtet nën sulm, kërcënim, disa sulme hibride ose disa qendra të huaja pushteti, atëherë, sipas mendimit të tij, Këshilli i Sigurisë duhej të ishte mbledhur i pari dhe në terren të dalë Armata.
“Duhej në terrren dhe në opinion të dilte ministri i Mbrojtjes. Të gjitha shërbimet e sigurisë në vend duhej të aktivizoheshin, NATO duhej të njoftohej, si partneri ynë strategjik. Asgjë nga kjo nuk po ndodh, e gjithë kjo që po bën kryeministri është në fakt një piar dramë , nuk ka asnjë veprim për të zgjidhur problemet dhe kjo është vërtet provë e një udhëheqjeje amatore të vendit. Në praktikë, ky ekip nuk ka kapacitet për ta udhëhequr vendin siç duhet”, tha Filipçe.
I pyetur se cilat janë propozimet dhe zgjidhjet e tij, si lider i opozitës, Filipçe u përgjigj se së pari duhet të bëhet një analizë e asaj që OBRM-PDUKM dhe partnerët e koalicionit ua premtuan qytetarëve katër vjet më parë, pastaj duhet të bëhet një analizë e të gjitha deponive, nëse ato funksionojnë ligjërisht, nëse kanë licenca dhe nëse të gjitha janë të vendosura në një distancë të përshtatshme nga zonat e banuara dhe nga vendet ku importohen mbeturinat në vend.