
Ligji për Këshillin Gjyqësor është në fazën përfundimtare dhe pres që deri në fund të muajit të miratohet siç është planifikuar. Nuk do të ketë më “nuk e dija”, nuk do të ketë më “nuk kisha ingerenca”. Për çdo vendim do të ketë emër dhe mbiemër, thotë ministri i Drejtësisë Igor Filkov në një intervistë për Agjencionin Informativ të Maqedonisë, duke theksuar se ky është një hap kyç në forcimin e pavarësisë dhe transparencës së gjyqësorit.
Filkov thekson se Ministria e Drejtësisë ka marrë mendimin e Komisionit të Venecias për Projektligjin për Këshillin Gjyqësor dhe ato vërejtje tashmë janë shqyrtuar.
“Bëhet fjalë për një dokument konstruktiv dhe përmbajtësor që përmban udhëzime dhe rekomandime të qarta, veçanërisht për pjesët në të cilat ne si Ministri kemi investuar fokus serioz. Këto vërejtje tashmë janë marrë në konsideratë. Është veçanërisht e rëndësishme për ne që Komisioni njohu procesin transparent dhe gjithëpërfshirës në hartimin e ligjit – përmes dëgjimeve publike, konsultimeve me ekspertë dhe përfshirjes së të gjithë aktorëve kryesorë. Ky është një konfirmim se ne po ecim në drejtimin e duhur dhe se reformat tona janë në përputhje me standardet evropiane. Kjo qasje drejtpërdrejt kontribuon në forcimin e besimit në procesin legjislativ dhe në gjyqësor në tërësi”, thotë Filkov.
Kur flasim për besimin në gjyqësor, siç thekson Filkov, duhet të fillohet nga institucionet që e drejtojnë sistemin – Këshilli Gjyqësor dhe Prokuroria Publike dhe për këtë kemi filluar nga aty.
“Këshilli, i konceptuar deri tani si garant i pavarësisë, shumë shpesh ka qenë i shurdhër ndaj skandaleve dhe ka heshtur kur duhej të vepronte. Tani kjo po ndryshon. Ne po vendosim kritere strikte për përzgjedhje dhe shkarkim, detyrim për transparencë, kontroll të integritetit dhe më e rëndësishmja, mekanizma për llogaridhënien personale. Nuk do të ketë më “nuk e dija”, nuk do të ketë më “nuk kisha ingerenca”. Për çdo vendim do të ketë një emër dhe mbiemër. Për herë të parë do të ketë një vlerësim objektiv të punës së tyre, transparencë në vendimmarrje dhe mekanizma të llogaridhënies për vetë anëtarët e Këshillit. Kjo është një pikë kyçe që është vërejtur edhe nga Misioni vlerësues i BE-së – dhe tani ne po i përgjigjemi drejtpërdrejt atij rekomandimi”, tha Filkov.
Sa i përket prokurorisë, Filkov siguron se ajo nuk do të jetë më një “kuti e mbyllur” pas së cilës fshihen vendimet pa shpjegime.
“Ligji i ri do të sigurojë llogaridhënie, kontroll të shtuar publik, si dhe një ekuilibër midis hierarkisë dhe lirisë profesionale. Ne nuk duam një prokurori që llogarit, por një prokurori që vepron. Jemi duke futur një sistem për vlerësimin e rregullt dhe objektiv të prokurorëve, si dhe një linjë të qartë përgjegjësie. Dhe në këtë ligj, ne kemi inkorporuar me kujdes pothuajse të gjitha vëzhgimet kryesore nga Misioni vlerësues”, tha Filkov.
Deri në fund të vitit, Filkov thotë se ka një detyrë tjetër të rëndësishme – miratimin e Kodit të ri Penal, i cili nuk është vetëm harmonizimi me standardet evropiane, por një reformë themelore ligjore që do të modernizojë politikën penale dhe do të japë një përgjigje të qartë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Më në fund do të ketë dispozita të qarta, të prera dhe të zbatueshme kundër korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, krimit të organizuar. Unë besoj në institucionet dhe në kapacitetin tonë për ta realizuar këtë. Reformat nuk janë vetëm një formalitet – ato janë pasqyrim i vullnetit tonë politik, përgjegjësisë dhe vizionit për një shoqëri të drejtë”, thekson Filkov.
Filkov siguron se dinamika e zbatimit të reformave është intensive, e përqendruar dhe e harmonizuar plotësisht me angazhimet që kemi marrë në kuadër të Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, dhe thekson se ekziston vullneti politik dhe një synim i qartë – të realizohet ajo që është rënë dakord dhe e nevojshme.
The post Filkov: Ligji për Këshillin Gjyqësor është në fazën përfundimtare dhe pres të miratohet deri në fund të muajit appeared first on Telegrafi.