Sllovenia dhe Franca i kanë ofruar Maqedonisë së Veriut gjithsej 100 zjarrfikës dhe automjete speciale për ta ndihmuar në shuarjen e zjarreve.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angelov, tha se autoritetet po shqyrtojnë mundësinë e pranimit të ndihmës nga Sllovenia dhe Franca.
“Lidhur me Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (BE), kohët e fundit morëm ofertë nga Sllovenia për të na dërguar një ekip prej 50 zjarrfikësish me automjete speciale. Gjithashtu kemi njoftim nga Franca se duan të na dërgojnë një ekip me një numër të ngjashëm zjarrfikësish me automjete speciale për të shuar zjarret në pyje. Po e shqyrtojmë këtë mundësi, do të vendosim më vonë se si do të veprojmë”, tha Angelov.
Ai tha gjithashtu se sot në Maqedoni janë regjistruar 15 zjarre, nga të cilat nëntë janë ende aktive dhe gjashtë janë vënë nën kontroll.
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi më parë se Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së u aktivizua disa ditë më parë, por se askush nuk ka aeroplanë në dispozicion për të dërguar për të ndihmuar sepse ka vatra zjarri në të gjithë Evropën.
Mickoski tha gjithashtu se të gjitha kapacitetet e Maqedonisë janë të angazhuara në shuarjen e zjarrit dhe se situata është nën kontroll.
The post Franca dhe Sllovenia i ofrojnë 100 zjarrfikës Maqedonisë për ndihmë në shuarjen e zjarreve appeared first on Telegrafi.