
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot në Kuvend u takua me Presidentin e Republikës së Sllovakisë, Peter Pelegrini, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vendin tonë.
Siç njoftojnë nga pres-shërbimi i Kuvendit, në atmosferë miqësore dhe konstruktive, bashkëbiseduesit konfirmuan bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh midis të dyja vendeve dhe shprehën gatishmërinë e tyre për promovimin e mëtejshëm të tij në të gjitha nivelet.
Kryetari Gashi i uroi mirëseardhje presidentit Pelegrini dhe theksoi se vazhdimësia e dialogut politik dhe mbështetja shumëvjeçare nga Sllovakia në kuadër të Bashkimit Evropian dhe NATO-s paraqesin nxitje të rëndësishme për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj evropiane.
Ai u falënderua për mbështetjen konsistente dhe parimore të Republikës Sllovake për integrimin evropian të vendit tonë, si dhe për rolin aktiv të Sllovakisë brenda Grupit të Vishegradit, i cili është ndër mbështetësit më të zëshëm të politikës së zgjerimit të BE-së.
Kryetari Gashi, gjatë bisedës, e përshëndeti iniciativën e Sllovakisë për të inkurajuar risocializimin ekonomik të rajonit të Ballkanit Perëndimor, si dhe nënshkrimin e Memorandumit të ri për bashkëpunim ekonomik midis ministrive të të dyja vendeve, i cili do të krijojë mundësi të reja për rritjen e shkëmbimit tregtar dhe investimeve.
U theksua gjithashtu rëndësia e Institutit Parlamentar në Kuvendin e RMV, i cili bashkëpunon me institucione të ngjashme në Bratisllavë, ndërkaq Instituti Parlamentar Sllovak ka rol të rëndësishëm të mentorit në procesin e përforcimit të tij institucional.
Presidenti Pelegrini, nga ana e tij, konfirmoi edhe një herë mbështetjen e Republikës së Sllovakisë për Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se e konsideron vendin tonë si partner të sinqertë dhe miqësor. Ai theksoi se Sllovakia mbetet një mbështetëse e fortë e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe, si investitor në vend, do të vazhdojë të kontribuojë në zhvillimin e saj institucional dhe ekonomik. Pelegrini shtoi se marrëdhënie të tilla me siguri do të thellohen në të gjitha segmentet e bashkëpunimit edhe në vitet në vijim.
Në fund, të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se diplomacia parlamentare paraqet segment thelbësor në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis të dyja vendeve, si dhe se ka hapësirë për thellimin e bashkëpunimit në kulturë, arsim dhe ekonomi.