
Në seancën e sotme për rastin “Shtekli” para Gjykatës Themelore Penale në Shkup, ka dëshmuar eksperti i mbrojtjes, Gjorgjija Haxhi Angelkovski, i cili dha vlerësim psikiatrik për të pandehurin Rade Trajkovski-Shtekli, i dyshuar për pjesëmarrje në shitje të organizuar të drogës, duke e vlerësuar si psikotik.
Haxhi Angelkovski vizitoi Trajkovskin në burgun “Shkup” ku intervista, siç tha, ka zgjatur më shumë se zakonisht.
Në dëshminë e tij, ai theksoi se gjendja e të pandehurit dukshëm është ndryshuar në lidhje me ekspertizën paraprake të cilën e ka kryer para shtatë deri dhjetë viteve, kur tek Trajkovski është konstatuar epilepsia.
“Ai nuk është personi i njejtë që e pashë tani në burg, tek i pandehuri vërehen gjendje psikotike me karakteristika të shizofrenisë”, tha Angelkovski.
Sipas ekspertit, Trajkovski tregon besim në rimishërimin dhe pretendon se udhëhiqet nga një “mësues” që e bart nga një trup në tjetrin. Plotësisht, ai beson në një person fiktiv, që e urdhëron ç’farë të bëjë dhe si të veprojë”.
“Nuk bëhet fjalë për një person të shëndoshë që imiton një të çmendur”, ka theksuar Haxhi Angelkovski, duke shtuar se i pandehuri është i ftohtë, i shkëputur emocionalisht, i irritueshëm dhe paranojak – ka vendosur kamera në shtëpi dhe është i bindur se po ndiqet.
Mbrojtja pretendon se Trajkovski nuk është në gjendje ta ndjekë procesin gjyqësor, ndërsa prokuroria mbetet në qëndrimin se ai është psikopat dhe i aftë të marrë pjesë në seancë.
Në pyetjen e gjykatës nëse “Trajkovski është totalisht “i çmendur” eksperti u përgjigj jo.
Gjykimi vazhdon më 5 shtator me dëshminë e ekspertëve si dhe me propozim të prokurorisë.
Gjyqtari Ilija Tërpkov njoftoi se do të përballet me ekspertët nga të dyja anët para se të marrë vendim nëse do të pranohet njëra nga ekspertizat ose do të urdhërohet e re.
Aktakuza, e ngritur nga Prokuroria për Ndjekjen Penale të Krimit të Organizuar, përfshin gjithsej 10 persona, pas një hetimi pothuajse njëvjeçar në të cilin u aplikuan masa të posaçme hetimore. Fillimisht, u përfshinë 16 persona, shtatë prej të cilëve tashmë kanë lidhur marrëveshje pranimi të fajësisë dhe kanë marrë dënime me burgim nga 3 deri në 3.5 vjet.
Në seancën e mëparshme, katër të pandehur – Danço Masev, Dimitar Trajkov, Vladimir Veselinovski dhe Branislav Zajkov – gjithashtu paraqitën një deklaratë për fajësinë, pas së cilës gjykata mori vendim për ndarjen e procedurës penale.
Sipas prokurorisë, grupi ishte i organizuar mirë, me role të përcaktuara qartë – nga blerja deri te shitja e kokainës dhe marihuanës.
The post Gjykimi për “Shteklin” vazhdon më 5 shtator, Angelkovski: Ai ka karakteristika të shizofrenisë, dyshon se dikush po e ndjek appeared first on Telegrafi.