
Gjykimi për rastin e vrasjes së të miturës Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezovskit nga Velesi, ku i akuzuari kryesor është Ljupço Palevski – Palço, së bashku me Bore Videvskin, Velibor Manev dhe Vllatko Keshishov, si dhe babain e vajzës, Aleksandar Gjorçevski, është ricaktuar për më 9 qershor. Siç informojnë nga Gjykata Themelore Penale Shkup, ricaktimi është me kërkesë të prokurorit publik kompetent.
Gjykimi duhet të vazhdojë me fjalët përfundimtare të Prokurorisë, pasi me seancën e kaluar përfundoi procedura dëshmuese.
“Për shkak të interesimit të mediave dhe organizatave joqeveritare që ndjekin punën e gjykatës, njoftojmë opinionin se shqyrtimi kryesor për rastin me K. nr. 1339/24 lidhur me vrasjen e dyfishtë të të miturës V.Gj. dhe banorit nga Velesi P.Zh. e caktuar për datën 02.06.2025, me kërkesë të prokurorit publik kompetent, ricaktohet për datën e radhës, tashmë të caktuar, më datë 09.06.2025 në ora 10:00. Njëherit për shkak të vëllimit të lëndës, provave verbale dhe materiale të nxjerra, plotësimin e procedurës dëshmuese, si dhe kohën e nevojshme për përgatitje adekuate të fjalëve përfundimtare, është pranuar kërkesa për ricaktim të debatit, për të cilën palët do të njoftohen”, thuhet në kumtesën e Gjykatës Penale në Shkup.
Në seancën e kaluar në Gjykatën Themelore Penale Shkup u nxorën dëshmi shtesë nga ana e mbrojtjes së të pandehurve Palevski, Videvski dhe Gjorçevski, ndërsa mbrojtja e dy të akuzuarve tjerë Manev dhe Keshishev nuk propozoi prova përveç procedurës dëshmuese. I akuzuari i parë Ljupço Palevski fillimisht e kundërshtoi shpjegimin e Prokurorisë Themelore Publike lidhur me kalkulimin e kohës. Sipas tij, koha e regjistrimeve në oborrin e Velibor Manevit, të cilat paraprakisht janë paraqitur nga Prokuroria në Gjykatë, nuk janë në kohë reale, ndonëse janë ekzaminuar në mënyrë ekspertize dhe janë konfirmuar nga Forenzika e MPB-së.
Në aktakuzë thuhet se Ljupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Aleksandar Gjorçevski, së bashku kanë planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja për të detyruar një anëtar të familjes së saj të ngushtë të japë para për shpërblim. Rrëmbimi i të dëmtuarit Pançe Zhezhovski në Veles, sipas aktakuzës, ka qenë me qëllim që ta detyrojnë që t’ua japë automjetin e tij “Citroen” që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.
Më 27 dhe 24 nëntor Vanja e mitur dhe banori i Velesit Pançe u raportuan të zhdukur, ndërsa më 3 dhjetor 2023 u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit.
The post Gjykimi për vrasjen e Vanjës dhe Pançes ricaktohet për më 9 qershor appeared first on Telegrafi.