
Në Komunën e Bërvenicës do të ketë balotazh dhe në të do të garojnë Haqim Ramadani nga Koalicioni VLEN dhe Jovica Ilievskit nga OBRM-PDUKM.
Por ajo që ka marrë vëmendjen është se Enver Pajaziti nga koalicioni AKI, i cili doli i treti me vota në zgjedhjet e sotme (19 tetor) ka shkuar në shtabin e VLEN-it për t’i dhënë përkrahje kandidatit shqiptar Haqim Ramadani, njofton Telegrafi Maqedoni.
– YouTube Prodhim i Telegrafi Maqedoni Bejeni #Subscribe kanalin tonë në YouTube për më shumë video. Detajet: …
Në një video që është publikuar në rrjetet sociale, Pajaziti thotë se në raundin e dytë do të punojë bashkë me Ramadanin, për ta mundur kandidatin e OBRM-PDUKM-së, Jovica Ilievskin.
“Në këtë garë kemi qenë dy kandidatë shqiptarë dhe thamë se kush do të ketë një votë më tepër, në raundin e dytë do të punojmë bashkë dhe unë nuk kam dyshim se kjo do të ndodh. Sikur kjo të kishte ndodhur edhe në vitin 2021, mandatin e fundit do të kishim kryetar shqiptarë. Por këtë herë e dhamë testin. Na mbetet të bashkohemi dhe komunën ta rikthejmë te shqiptarët”, tha Enver Pajaziti në shtabin e VLEN-it.
Ndryshe, Komuna e Bërvenicës mandatin 2021-2025 është udhëhequr nga kandidati i OBRM-PDUKM-së, për shkak të përçarjes së votës shqiptare.
Rezultatet në Komunën e Bërvenicës, nga 94% e votave të numëruara, janë këto: Enver Pajaziti nga AKI ka marrë 1.142 vota, Svetlana Mitreska-Anxheloska nga LSDM ka marrë 403 vota, Haqim Ramadani nga VLEN ka marrë 2.019 vota, ndërsa Jovica Ilievski nga OBRM-PDUKM ka marrë 2.837 vota.
Në raundin e dytë në garë do të jenë Haqim Ramadani dhe Jovica Ilievski./Telegrafi/