
Gjykata e lartë administrative ka konfirmuar vendimin e Komisionit për mbrojtje të konkurrencës (KMK) me çka ajo konstatoi se dy farmaci të mëdha – SHA “Dr. Panovski” dhe “Farma trejd” SHPKNj – Shkup, kanë lidhur marrëveshje të ndaluar gjatë pjesëmarrjes në procedurën për furnizim publik të insulinës, glukagonit, gjilpërave të insulinës dhe shiritave matës të sheqerit në gjak dhe pompave të insulinës me materiale harxhuese, informoi sot KMK.
“Bëhet fjalë për furnizim publik që në vitin 2016 është shpallur nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë ku dy farmacitë në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, lidhën marrëveshje të ndaluar ku me vetëdije dhe me qëllim të përfitimit të paligjshëm të dobisë së pasurisë në dëm të shtetit kanë zëvendësuar parimin e konkurrencës së lirë në treg me negociata të ndaluara të çmimeve të shitjes së ilaçeve”, shpjegojnë prej atje.
Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës thekson se “gjatë zbulimit dhe dokumentimit të kësaj marrëveshje ka pasur në konsideratë legjislacionin vendas, si dhe jurisprudencën e Bashkimit Evropian”.
“Për pjesëmarrje në marrëveshjen në fjalë, Komisioni me vendimin e tij shqiptoi sanksione kundërvajtës dhe gjoba ndaj SHA. “Dr. Panovski” në shumë prej 1.061.000 euro dhe ndaj “Farma trejd” SHPKNj në shumë prej 721.000 euro”, shton KMK.
Siç theksojnë ata, shuma e gjobës është në korrelacion me dëmin e shkaktuar në buxhetin e shtetit.
“Vendimi i Komisionit për mbrojtjen e konkurrencës është konfirmuar nga Gjykata administrative dhe Gjykata e lartë administrative dhe është ligjërisht i detyrueshëm dhe i zbatueshëm, ndërsa kompanitë duhet ta paguajnë gjobën brenda afatit të caktuar me ligj”, thekson KMK-ja.
Komisioni për mbrojtjen e konkurrencës informon se “për marrëveshjen e zbuluar do të parashtrojë informatë përkatëse në Drejtorinë e policisë financiare dhe Prokurorinë publike për veprime të mëtejshme nga ana e tyre në procedurat përkatëse penale”.
The post Kartel në biznesin farmaceutik, dy farmaci kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për 1.1 milion euro appeared first on Telegrafi.