
Komuna e Çairit dënon ashpër incidentin e ndodhur së fundmi mes Kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, dhe disa individëve në territorin e kësaj komune.
Nga atje thonë se akte të tilla janë të papranueshme dhe përbëjnë një shkelje serioze të normave të sjelljes në një shoqëri demokratike dhe të civilizuar.
“Duke vlerësuar rëndësinë e informimit të drejtë të opinionit publik, theksojmë se ngjarja në fjalë nuk ka asnjë lidhje me institucionin tonë. Asnjë i punësuar apo funksionar i Komunës së Çairit nuk ka qenë i përfshirë dhe as i pranishëm në vendin ku ndodhi incidenti.
Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar ndaj ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, respektimit të institucioneve dhe promovimit të bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve që jetojnë në këtë territor.
U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm, në përputhje me procedurat ligjore, për zbardhjen e plotë të rastit dhe garantimin e qetësisë publike”, thuhet në reagimin e Komunës së Çairit.
The post Komuna e Çairit dënon incidentin ndaj kryetares Arsovska, nuk ka as një lidhje me institucionin tonë appeared first on Telegrafi.